SYRI TV/ Tirana nën vëzhgimin e botës së krimit, çmontohen 60 kamera në zona të ndryshme

16:29, 30/01/2023
A+ Aa A-

“Big Brotheri” i grupeve kriminale që vëzhgonin përmes kamerave të vendosura në hapësirat publike për të vëzhguar policinë apo grupet rivale po shijon shfaqjet e fundit në Tiranë.

Operacioni I koduar ‘Fijet’ që ka synim evidentimin dhe heqjen e kamerave te vendosura në mënyrë të paligjshme ka zbarkuar edhe në kryeqytet.

Gjashtë komisariatet e Tiranës këtë të hënë, të mbështetura edhe nga forcat "Shqiponja", kanë vijuar me verifikimet dhe më pas me çmontimin e kamerave të paligjshme, ndërkohë ka pasur konstatime dhe çmontime edhe në afërsi të banesave të personave me precedentë penalë apo të shkuar kriminale.

Syri Televizion ka ndjekur nga afër punën e policisë për çmontimin e kamerave, ku në disa raste është kërkuar edhe ndihma e forcave zjarrfikëse.

Aksioni do të vijojë thuajse në të gjitha lagjet e Tiranës, teksa prioritet do kenë zonat që njihen se problematike me krimin e organizuar.

Nga një bilanc paraprak rezulton se në kryeqytet deri tani janë çmontuar rreth 60 kamera.

Deri tani për kryeqytetin nuk kemi një raport per personat apo grupet kriminale që kanë montuar këto kamera.

Aksioni 'Fijet' nisi nga qyteti i Shkodrës, për të vijuar më pas në Vlorë, Durrës, Krujë, Korçë dhe Elbasan, teksa pritet të vijojë në të gjithë vendin, ndërsa deri më tani janë çmontuar rreth 200 kamera.

Mes personave që rezulton se vëzhgonin zonat e tyre me kamera sigurie kishte edhe emra me peshë në botën e krimit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco