80-vjeçari Xhevit Sinani do të qëndrojë në burg pasi pak ditë më parë vrau bashkëshorten dhe vëllanë. I moshuari e mohoi krimin në gjykatë, duke u shprehur se bashkëshorten dhe vëllanë i kishte gjetur të vdekur. Megjithatë, avokatët kanë kërkuar ekspertim të shëndetit mendor për 80-vjeçarin, pasi ka dhënë dëshmi kontradiktore për krimin e rëndë.
Nga SYRI TV
Lihet në burg Xhevit Sinani, 80-vjeçari nga fshati Tërvol i Gramshit, i cili vrau të premten bashkëshorten dhe vëllanë e tij. Para gjykatësit ku u njoh me masën e sigurisë, Xhevit Sinani mohoi të ketë kryer vrasje. Sipas tij, gruan dhe vëllanë i kishte gjetur të vdekur.
“Vëllai kishte përdorur një ilaç në vesh, më pas kishte dalë në oborr dhe ishte rrëzuar, ishte vrarë. E mbulova vëllanë dhe ika te gruaja. Edhe gruaja ishte e vrarë” tha i moshuari në gjykatë.
Por pak ditë më parë, Xhevit Sinani pranoi se e kishte kryer krimin, duke rrëfyer madje se të parën kishte vrarë bashkëshorten dhe më pas vëllanë.
Megjithatë, avokatët mbrojtës të caktuar nga gjykata, kanë kërkuar ekspertim të shëndetit mendor të të moshuarit, pasi dyshohet se ai ka probleme të shëndetit mendor.
Xhevit Sinani vrau të premten bashkëshorten, Zegjinen dhe vëllanë, Shaqirin, duke i masakruar me sëpatë. Motivet e krimit ende nuk janë të qarta, për shkak se i moshuari ka dhënë deklarime kontradiktore në lidhje me ngjarjen.
© SYRI.net