SYRI TV/ Kishin vënë kamera në mënyrë të kundërligjshme, nis hetimi për 5 persona

12:06, 29/01/2023
A+ Aa A-

20 kamera sigurie të paautorizuara janë sekuestruar në Fier dhe Lushnjë, ndërsa kanë nisur hetimet për 5 shtetas. Operacioni i koduar “Fijet” ka vijuar fazën e 7 të tij në qarkun e Fierit, që më herët është zhvilluar në disa qarqe të tjera. Përgjithësisht kamerat janë instaluar nga persona problematikë me ligjin apo me precedentë të mëparshëm kriminal, që me to siguronin informacione për çdo lëvizje përfshirë edhe ato të Policisë.

Nga SYRI TV

Operacioni kundër vendosjes së paligjshme të kamerave të sigurisë nëpër zona të ndryshme të vendit, është zhvendosur së fundmi në qarkun e Fierit. Faza e shtatë e operacionit të koduar “Fijet” ka çuar në çmontimin e 20 kamerave të vendosura në kundërshtim me ligjin në Fier dhe Lushnjë.

Përkatësisht janë vënë në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 5 shtetas, nga këta, 2 shtetas në Fier dhe 3 shtetas në Lushnjë.

Operacioni i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me mbështetjen e inteligjencës informative, është zhvilluar në 6 qarqe të tjera të vendit deri më tani, teksa janë konstatuar vendosja e paautorizuar e kamerave, për sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si dhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë kur ushtron kontrolle.

Në Fier operacioni u zhvillua në lagjet "8 Shkurti" dhe "Liri", ku janë çmontuar 5 kamera, si dhe janë në hetim, shtetasit A. B. dhe K. K.

Në Lushnjë u çmontuan dhe u sekuestruan 15 kamera të vendosura në lagjet "18 Tetori" dhe "Loni Dhamo". Për këto raste, janë në hetim shtetasit K. T.,  S. T. dhe K. A. Ky operacion e pati nisjen në Shkodër duke vijuar me Vlorën, Durrësin, Gjirokastrën, Dibrën etj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco