Lajmi i fundit

LIVE/ Qytetarët protestojnë përpara parlamentit, policia blindon godinën

Dosja/ 'Kobra' bënte jetë luksoze, por konsiderohej i varfër nga gjykata

Dosja/ 'Kobra' bënte jetë luksoze, por konsiderohej i varfër nga gjykata

13:28, 12/01/2023
A+ Aa A-

I njohur në të gjithë Kosovën për jetën luksoze, makinat e shtrenjta dhe florinjtë, Dibran Hoxhaj për Gjykatën e Prizrenit ishte i varfër ekonomikisht.

I dyshuar për vrasjen e një 31-vjeçari nga Kukësi dhe plagosjen e një 27-vjeçari, Dibran Hoxhaj ishte gjetur fajtor në vitin 2012  për vjedhje të energjisë elektrike në lokalin e tij ‘Kobra City’ në vlerë prej mbi 3000 euro, ndërsa ishte dënuar me vetëm 200 euro gjobë.

Portali KALLXO.com ka siguruar dosjen e plotë kriminale të Dibran Hoxhës për 17 rastet në të cilat ishte dënuar. Nga të gjitha këto raste të analizuara, nuk rezulton se "Kobra" nuk ishte dënuar me burg efektiv.

Rrahje, lëndime të rënda trupore, shmangie tatimore, vjedhje energjie, dëmtim i vulave zyrtare, dëmtim i pasurisë së huaj e kanosje, janë disa nga veprat penale për të cilat ishte dënuar ndër vite Dibran Hoxhaj.

Mirëpo ndonëse u dënua në 17 raste, asnjëherë nuk u dërgua në burg për vuajtje të dënimit sepse të gjitha dënimet ndaj tij ishin me gjoba ose me burg të kushtëzuar. Në 13 nga 17 rastet në të cilat ishte dënuar, gjyqtarët e Prizrenit nuk kishin gjetur asnjë rrethanë rënduese që do të ndikonte që Dibran Hoxhaj të dënohej më ashpër.

Sipas ligjit, është detyrim i çdo gjyqtari që t`i analizojë rrethanat që mund ta rëndojnë ose lehtësojnë dënimin e një personi të akuzuar, i cili shpallet fajtor.

Mirëpo, ndonëse Dibran Hoxhaj ishte dënuar mbi dhjetë herë, kjo nuk ishte marrë asnjëherë si rrethanë rënduese, ndërsa rrethana që e lehtësonin dënimin ndaj tij kishte pothuajse në secilin rast.

Nga të gjitha rastet e analizuara rezulton se ndaj Dibran Hoxhës, Ggyqtarët kanë marrë parasysh në total 48 rrethana lehtësuese, ndërsa vetëm 5 rënduese, të cilat mund të ndikojnë që dënimi të jetë më i ashpër.

Disa nga rrethanat lehtësuese ishin: se është student, se ka sjellje korrekte ndaj gjykatës, se ka rënë për herë të parë ndesh me ligjin, se është i varfër ekonomikisht, se është pajtuar me viktimën, se është beqar, se është i papunë, se është provokuar nga viktima, se është penduar, se e ka pranuar fajësinë.

“Dora e butë” e Gjykatës së Prizrenit nuk u përmirësua as nga Gjykata e Apelit.

Në shkurt të vitit 2021, gjyqtarët e Apelit, Kreshnik Radoniqi, Xhevdet Abazi dhe Afërdita Bytyçi, e konfirmuan dënimin me gjobë prej 6 mijë eurosh ndaj Dibran Hoxhës për një vepër, e cila sipas ligjit dënohej nga 3 deri në 10 vite burgim. Në këtë rast për lëndim të rëndë trupor, Dibran Hoxha u dënua nën minimumin e paraparë ligjor, pra u dënua me vetëm 6 muaj burgim, i cili u konvertua në gjobë prej 6 mijë eurosh, ndonëse minimumi që mund të shqiptohej në këtë rast ishte 3 vite burg.

Dënimet nën minimumin e paraparë sipas ligjit mund të shqiptohen vetëm ndaj personave tek të cilët gjenden rrethana posaçërisht lehtësuese.

Në kohën kur vendimi u mor nga gjykatësit e Apelit, Dibran Hoxhaj veçse kishte mbi 10 dënime të plotëfuqishme, mirëpo përkundër këtyre dënimeve, edhe gjykatësit që kanë më shumë përvojë në gjykimin e krimeve, nuk patën “guximin” që ta dërgojnë “Kobrën” në burg.

Gjyqtarët e Apelit e konfirmuan dënimin nën minimumin e paraparë ligjor dhe kërkuan që Dibran Hoxhaj, nga dënimi prej 6 mijë eurosh, të paguante vetëm ndryshimin prej 3660 euro që rezultoi pas zbritjes së ditëve në të cilat kishte qëndruar në paraburgim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco