VIDEO-SYRI TV/ Stëbleva te ‘100 fshatrat’ e harruar! E shpallur zonë turistike, por pa investime

15:46, 31/12/2022
A+ Aa A-

Fushë Studna ndodhet vetëm 50 km larg Elbasanit. Një zonë plot tradita, histori dhe kulturë, me një klimë të ftohtë dhe me ajër të pastër, është idealja për turizëm malor.

Kjo zonë, me pasuri të mëdha natyrore, rrethohet nga Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, me pyje ahu, livadhe të mëdha, burime uji e botë të egër të larmishme.

Turistët e preferojnë jo pak për turizëm malor, për hajking apo dhe sporte ekstreme, të cilat zhvillohen lehtësisht në këtë zonë, për shkak të favoreve që krijon terreni, natyra, por dhe ata pak investitorë, që kanë nisur të hedhin para për të ngritur resorte turistike në të…

Për të gjitha këto pasuri dhe veçanti, Fushë Studna është bërë pjesë edhe e listës së famshme qeveritare, “100 fshatrat”. Por qeveria është kujtuar për këtë zonë vetëm për ta shpallur si një ndër 100 fshatrat turistik, çdo gjë tjetër është vetëm mungesë vëmendje nga pushteti, lokal dhe ai qendror….

Kjo është rruga që të çon drejt fshatit Stëblevë në Librazhd... Për të shkuar deri në këtë fshat, të shpallur turistik, është një sfidë më vete.

Rruga nisi të ndërtohej në vitin 2013, ajo lidhte Librazhdin me Dibrën. Në atë kohë u ndërtuan disa km, ndërsa u asfaltua një segment nga qyteti i Librazhdit deri në afësi të vendit të quajtur Shkalla e Lunikut.

Prej vitit 2013, pjesa tjetër e rrugës, nga Shkalla e Lunikut, që kalon përmes Stëblevës dhe që vijon tej në fshatrat e Ostrenit e deri te ura e Cerenecit, ka mbetur e pashtruar.

Për banorët e Stëblevës, mungesa e shtrimit të kësaj rruge, ka vështirësuar jo pak jetesën.

Problemet në këtë zonë nuk kanë të sosur. Një tjetër sfidë për banorët është mungesa e qendrës shëndetësore, e cila ekziston si godinë, por nuk ka as mjekë e as infermier, që të ofrojnë shërbim.

Në zonë, disa investitorë privatë kanë nisur të hedhin paratë në fushën e turizmit, por mungesa e infrastrukturës ka bërë që bizneset e tyre, deri më tani, të jenë pak ose aspak të frekuentuara.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco