Eksodi nuk e ndali revanshin e krimit, në 12 muaj 47 të vrarë 27 të plagosur

Eksodi nuk e ndali revanshin e krimit, në 12 muaj 47 të vrarë 27 të plagosur

21:11, 28/12/2022
A+ Aa A-

Përgatiti Elkier Bushkolaj 

Eksodi masiv që preku vendin përgjatë 2022, nuk e ndali revanshin e krimit, që edhe këtë vit regjistroi një bilanc tragjik prej 47 të vrarësh dhe 27 të plagosurish. Policia e Shtetit dhe strukturat ligjzbatuese edhe këtë vit e humbën betejën me parandalimin e krimeve kundër jetës dhe zbardhjen e vrasjeve mafioze dhe vënien para drejtësisë të autorëve dhe porositësve. 

Përgjatë 2022 nuk munguan as vrasjet nga efektivët e policisë brenda komisariateve, në rrugë dhe në det.   

Masakrat
Përgjatë këtij viti u regjistruan 3 vrasje në kufijtë e masakrës, ku bilanci më tragjik u shënua në masakrën e Fushë-Krujës mesditën e 17 korrikut, ku mbetën të vdekur të 3 rinj, Diklent Vata  Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj. Ndërkohë në një atentat mafioz në Vlorë orët e para të 18 gushtit u vranë Shpati Lena dhe Hakim Xhezo. Masakra e Klosit e regjistruar në 12 tetor me një bilanc prej tre të vdekurish dhe dy të plagosurish tronditi gjithashtu  shqiptarët.   

Krimet në familje
Krimet në familje shënuan gjithashtu një rekord të zi, ku ndër ngjarjet me të rënda u regjistruan në Tiranë dhe Lezhë.  Në datën 29 gusht 2022 në Lezhë  shtetasi Besnik Pjetri  ekzekutoi me armë zjarri  ish dhëndrin Pjeter Perjaku dhe të birin Gent Përjaku,. Pjetri u arrestua në Mirditë disa muaj më vonë. Ndërkohë në datën 30 gusht do vriten në Tiranë Alban dhe Nora Muskurti, nga vëllai I Albanit, shtetasi Arsen Muskurti. Përgjatë 2022 Xhuliana Topalli,  Valdete Mamaj dhe Jetlira Elezi  u vranë nga bashkëshortët e tyre. 

Skeda e krimevejanar – dhjetor 2022
Sagën e ngjarjeve kriminale për vitin 2022 do ta hapte atentati me armë zjarri ndaj 34-vjeçarit Kastriot Piroli, në Shkodër, mbrëmjen e 4 janarit. Piroli mbeti i plagosur rëndë.

Në 9 janar 2022 Xhuliana Topalli do të vritej nga bashkëshorti i saj Niko Hila. 

Në 5 Janar në zonën e “Don Boskos” në Tiranë vritet  Erion Cela dhe  mbetën të plagosur edhe 4 të tjerë. Autorët hapën zjarr nga një automjet, teksa Cela dhe shokët e tij po konsumonin kafe në një lokal. Ngjarja për pak u shndërrua në një masakër.

Po në datën 5 Janar 2022 në Vlorës do të plagosej me armë zjarri 36 vjeçari, Diego Hanaj. Në drejtim të tij  u qëllua pesë herë,  autorët u larguan më një Audi që u gjet i djegur në fshatin Trevllazër të Vlorës.

Gentian Bejtja dhe  Klodjan Stafuka në 10 janar të 2022 do të mbeteshin të plagosur në një atentat mafioz në zonën  e Fushë Krujës.

Në datën 21 janar 2022 Fatime Suliu  vra nga komshiu i saj Fetah Marra.

Në 24 janar, kanuni do na kujtonte edhe njëherë se në verilindje do të zbatohej, teksa një 17-vjeçar do të vrasë për gjakmarrje Lekë Lekëgjonajn, në Lezhë. Dy familjet mirditore Lekgjonaj dhe Përvathi ishin prej 20 vitesh në hasmëri.

Në datën 9 shkurt Valdete Mamaj është vrarë nga bashkëshorti i saj në Fier 

Në datën 19 shkurt do të gjendej i vrarë në banesën e tij në Vlorë, Altin Alikaj. Shkak dyshohet pjesëmarrja e tij në veprimtari të paligjshme, ndërkohë ky krim është ende pa autor.

Në datën 5 mars Romeo Meçaj, 33 vjeç,  do të mbetej i plagosur rëndë në një atentat mafioz  pranë stadiumit  “Flamurtari” në Vlorë.

Autorët qëlluan nga një mjet në lëvizje, teksa 33 vjeçari i mbijetoi plagëve të marra.

Biznesmeni Aleksandër Deda i njohur në Lezhë si Leksi i Druve, në datën 8 mars do të binte pre e një atentati me armë zjarri. Autorët në pamundësi për t’ju afruar e kanë vendosur pistoletën në  një dron, teksa Deda mbeti i plagosur. Biznesmeni Deda edhe me herët kishte rene pre e një atentati.

Në datën 9 mars në Shkodër do të plagosej shtetasi Admir Bajri, në zonën e  Dobraçit, autorët u larguan në drejtim të paditur.

Në Papër të Elbasanit mbrëmjen e 28 marsit do të binte pre e një atentati Nuredin Dumani, i cili mbeti i plagosur. Ai u largua nga vendngjarja dhe shkoi në Fier, ku vendosi të telefononte policinë për të dorëzuar. Dumani vendosi të flasë para SPAK dhe të rrëfejë krimet që kanë tronditur vendin dekadën e fundit, ku hodhi dritë mbi ekzekutime mafioze në Elbasan, Durrës, Tiranë Shkodër e Belgjike.

1 Prill 2022 Administratori i Kallmetit në Lezhë, Besnik Simoni do të përfshihej në një far west afër komunës me shtetasin Altin Marku. Simoni do mbetej i plagosur rëndë, ashtu si dhe Altin Marku, por ata kanë vendosur të heshtin për motivet e përplasjes me armë.

4 Prill 2022  një ekzekutim mafioz do të trondiste Tiranën, kur ekzekutorët me pagesë kryen vrasjen e biznesmenit Iljaz Cali në autostratën Tiranë Durrës. Autorët u larguan pa lënë gjurmë, teksa Cali me herët kishte qenë i arrestuar për Kultivim Kanabisi. Konfliktet e biznesmenit të kromit janë pista ku po punohet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

12 prill 2022 do të ekzekutohej në një atentat tipik mafioz në Shkodër Nazmi Bandula.

Ky person ishte një emër i njohur për blutë e Shkodrës. Bandula ndodhej në një lokal afër banesës kur u qëllua me breshëri automatiku nga autorët që u larguan me një Benz.

Prill 2022  Orlando Papleka, djali i një oficeri policie do binte pre e një sulmi me armë në Shijak. Fatmirësisht i shpëtoi plumbave.

19 Prill 2022  në Shkodër do të plagosej shtetasi Edi Reçaj në zonën e Perashit në Shkodër.  Mister mbetën rrethanat e kësaj ngjarje, teksa dyshimet janë se ai u plagos nga një i njohur i tij.

Në 22 prill në Lushnjë do të plagosej me armë zjarri shtetasi Kujtim Mema. Ai po qëndronte në lokal kur autorët hapën zjarr ndaj tij. Mema u dërgua në spital.

Po në datën 22 prill 2022 do të shënohej  plagosje me armë zjarri në Kukës,ku  mbetet i plagosur një person pas një konflikti për çështje pronësie.

Në 29 prill 2022 Junxhino Aliaj djali i kryeplakut të Kaninës do të përfshihej në një shkëmbim zjarri me një efektiv policie. Aliaj u shpreh se qëlloi për vetëmbrojte, teksa nga shkëmbimi i zjarrit u rrezikua jeta e qytetarëve në Lungomare të Vlorës.

Në 8 maj 2022, krimi do shënonte viktimës e radhës në Tiranë, ku shtetasi Ilir Kapo vritet me thikë nga shtetasi Olgert Dhimitri. Vrasja ndodhi në një lokal në zonën pranë “Harry Fult”z në prani të shumë qytetarëve.

Në datën 17 maj i rij Blerim Preçi i sapo kthyer nga jashtë vendit do të binte pre e një atentati me armë zjarri në aksin Milot Lezhë. Autorët qëlluan nga një automjet në lëvizje, por Preçi dhe shoku i tij i shpëtuan breshërisë së plumbave.

Ardit Kërtusha, ish-kandidat për Kryetar te Partisë Socialiste në Durrës, një zë i fortë që denoncoi aferat ne kupolën e PS në Durrës u plagos me armë zjarri në zonën e Currilave mesditën e datës 16 maj.

Durrësi nuk do të gjente qetësi, pasi mbrëmjen e datës 18 maj në zonën e Sukthit do të vritej në një atentat mafioz pranë biznesit të tij shtetasi Arben Mërkuri. Krimi u krye nga ekzekutorë me pagesë, që mundën të largohen pa lënë gjurmë nga vendi i ngjarjes. 

Kur krimi ndaloi vrasjet, u kujdes policia të mos prishte bilancin negativ, teksa mbrëmjen e 23 majit do të vritej në ambientet e Komisariatit numër 3 në Tiranë efektivi i Policisë Shtetit, Çaush Saliasi. Autor i vrasjes ishte kolegu i tij Ludjan Zaimi, teksa plumbat rrezikuan jo pak edhe efektivët e tjerë.

Po në datën 23 maj, efektivi i policisë Lutfi Gjyli do të plagoste me armë zjarri qytetarin Myrteza Lika në Tiranë. Lika përfundoi i plagosur tek Trauma, ndërhyrja e mjekëve i shpëtoi jetën.

Mëngjesin e 3 qershorit një atentat mafioz do të trondiste Shkodrën, ku i vdekur do të mbetej Naim Bajri dhe i plagosur shoku i tij Astrit Zeneli. Bajri dhe Zeneli po konsumonin kafe në lokal në zonën e rusit, kur ndaj tyre u shkarkua breshëri automatiku. Bajrit vite me parë i kanë ekzekutuar edhe djalin e tij.

Në datën 6 qershor, shtetasi Blerim Selaci do të plagoste me armë zjarri shtetasin Lutfi Kupa në Krujë.

Sherri për pronat në bregdet do të rezultonte fatal për shtetasin Kledi Koka 43 vjeç nga Saranda, i cili në datën 7 qershor u vra me armë zjarri nga Jorgo Golemaj.

Në 8 qershor Marklen Haka, do binte pre e një atentati mafioz në Fushë Krujë. Autori qëlloi disa herë në drejtim të tij duke e lënë të plagosur rëndë. Haka u transportua tek Spitali i Traumës.

Mëngjesin e datës 11 qershor do të gjendet i vrarë me thikë në Fier Petraq Gjika. Autori e ka vrarë në vendin e punës, ndërsa mister mbeten motivet e këtij krimi.

Mesditën e 11 qershorit 2022 Tirana do të tronditet nga atentati me tritol ndaj 27 vjeçarit  Aleksandër Sadikaj. Mjeti të cilit i ishin vendosur rreth 500 gram C4 shpërtheu në afërsi të TEG-ut. Sadikaj mbeti i plagosur rëndë dhe humbi jetën në spital pas plagëve të marra.
14 Qershor 2022 shtetasi Pjerin Bushtulli do të binte pre e një atentati mafioz në Velipojë. Bushtulli do të qëllohej disa herë me armë zjarri, teksa përfundoi I plagosur në spital. Atentati dyshohet për gjakmarrje

15 Qershor 2022, 75 vjeçari Lulash Qepuri do të ekzekutohej në një atentat mafioz në ambientet e lokalit të tij në fshatin Stom Golem, të Shkodrës. Qepuri rezultoi me precedent të mëparshëm penale.

Në 16 qershor, gjendet në rezervuarin e Kolanecit trupi i pajetë i 26 vjeçarit, Martin Çeço. Ai ishte vrarë duke e mbytur me litar nga shtetasit Bleti Angjo, Valter Mollaj dhe Edlir Mollaj

Qershor 2022 shtetasi Arben Bekteshi ka rënë prej e një sulmi me armë zjarri në Elbasan, ku ndaj tij u qëllua 7 herë me pistoletë. Bekteshi u shpëtoi plumbave, policia shpalli në kërkim Ermal Matishin. 

7 korrik 2022 Një krim në familje ka ndodhur në fshatin Remas të Lushnjes. Viktima është M.Stasa 85 vjeç, autori i vrasjes djali i tij. 

17 Korrik 2022 në atë që cilësohet si masakra e Fushë Krujës, do të vritet Brilant Martinaj  dhe shoket e tij Diklen Vata dhe Besmir Hoxha.

Ata u qëlluan nga ekzekutorë më pagesë në Urën e Fushë Krujës.  Autorët dogjën automjetin në fshatrat  Fushë Krujës. Ngjarja i ngjasonte një akti terrorist.

22 Korrik 2022 në një atentat mafioz në Milot do të vritet i riu Kristian Preçi, ndërsa breshëria e plumbave do të linte të plagosur Ylli Ibrahimin. Këta personazhe më herët kanë rënë pre e atentateve mafioze në Milot.

Në 31 korrik shtetasi Ramis Mici  vrau me thikë bashkëjetuesen e tij Jetlira Elezi, 37-vjeçe.

Në 2 gusht në 2022 në Himarë u regjistrua një tragjedi, teksa 7 vjecarja Joana Avdia humbi jetën pasi u godit nga helika e skafit që drejtohej nga efektivi i policisë Arjan Tase. 

9 Gusht 2022 Në Korçë vritet me thike Nesti Sotiri, nga Velo Hazisllari.

Në 9 gusht 2022 në Korçë vritet Neli Sotiri, nga fqinji i tij Velo Hazizllari.

10 Gusht 2022 në Krujë Klodjan Keqi ka vrarë fqinjin, e identifikuar si Luan Hushi, me kallashnikov

13 gusht 2022 atentat me armë zjarri ndaj Akil Nejrakut, në Durrës, i shpëtoi plumbave.

17 Gusht 2022 Madrit Ulqinaku 25 vjeç  ka mbetur i vrarë në Elbasan. Ai u qëllua pas një konflikti të çastit në zonën pranë stadiumit 'Elbasan Arena'. Sipas raportimeve, Ulqinaku nuk kishte një të shkuar kriminale.

17 Gusht 2022 Klodian Bakia do të vritet në Sarandë pas sherrit për parkimin e një automjeti nga 24-vjeçari Kurbinas, Xhenelo Tarja, i cili punonte si kamarier në Sarandë.

18 Gusht në një atentat tipik mafioz në Vlorë do të vriten Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, të dy persona me precedentë penale.

23 gusht 2022 në Vaun e Dejës pas një sherri në lokal do të vritet Agron Metushi. Vrasja  krye nga Alfons Palushani.

27 gusht atentati me armë zjarri ndaj Alban Bruçit, u derdhën 20 plumba në drejtim të tij. 

Në datën 29 gusht 2022 shtetasi Besnik Pjetri ka vrarë me armë zjarri shtetasit Pjeter Perjaku dhe Gent Perjaku.

Në datën 30 gusht do vriten në Tiranë Alban dhe Nora Muskurti, nga vellai I Albanit, shtetasi Arsen Muskurti.

2 Shtator 2019 në Shkodër do të ekzekutohej Ismet Cakorja, prane baneses se tij. 

Në 7 shtator në Korçe u vra 65-vjeçari Safet Yskollari me thike nga Fatos Manellari.

Në 19 shtator 2022, i riu Laer Kurti humbi jetën në duart e Policisë së Shtetit gjatë shoqërimit në Tiranë.

Në 22 shtator 2022 në mes të Shkodrës do të ekzekutohej Erjon Xhenje. 

Në 29 shtator të 2022 në Qafë Qele të Mirditës, do të vritet Pjetër Kola. 

12  tetor 2022 Sebastian Jellaj është qëlluar me pistoletë në këmbë pas një konflikti që agravoi deri në përdorimin e armës me një person në fshatin Llakatund, teksa mbeti i plagosur. 

12 tetor 2022 në qytezën e Klosit u ekzekutuan Liri e Kenado Shira, 47 dhe 17 vjeç babë e bir, mbetën të plagosur Eglantin e Renato Hasula, teksa autori i krimit Fiqiri Mjeshtri, vendosi t'i japë fund jetës më armën e shërbimit, armë me të cilën shkaktoi edhe masakrën.

30 tetor 2022 në zonën e Kodrës së Diellit, vritet Dritan Senaj, vrasja dyshohet për gjakmarrje. 

20 nëntor 2022 një i moshuar 89-vjeçar në Klos të Mallakastës u dhunua për vdekje nga grabitësit.

2 dhjetor 2022 Danjel Bushi është qëlluar me armë nga 28 vjeçari Gabriel Peqini në Durrës, Bushi mbeti i plagosur rëndë.

16 dhjetor 2022 vritet në Tiranë biznesmeni, Edmond Papaj, ai u ekzekutua në zonën e Selitës në Tiranë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco