Publikohet dënimi i Gert Shehut në vitin 2017, rezulton i përgjegjshëm para ligjit

Publikohet dënimi i Gert Shehut në vitin 2017, rezulton i përgjegjshëm para ligjit

22:57, 08/12/2022
A+ Aa A-

Publikohet dënimi i Gerti Shehut në vitin 2017, ngjarje në të cilën ai plagosi me grushta dhe me një tullë dekorative, rojen e një palestre private në Tiranë.

Sipas ekspertizës mjekoligjore të të dëmtuarit P.V, rezultonte se atij i ishin shkaktuar 4 dëmtime në kokë. Prokurori i çështjes, Enklid Gjini, pas shqyrtimit të materialit hetimor, ka kërkuar dënimin e tij me 200 mijë lekë gjobë.

Gjykata ka arsyetuar se “subjekti i kësaj vepre penale është i pandehuri Gert Shehu, i cili rezulton të ketë mbushur moshën për përgjegjësi penale dhe të jetë i përgjegjshëm para ligjit penal”.

Gazetari Spartak Koka, i ftuar në studion e Klan News, zbardhi edhe dinamikën e kësaj ngjarjeje të ndodhur më 7 Gusht të 2017-s.

“Ditën e ngjarjes i dëmtuari, shtetasi P.V, ka qenë duke punuar si roje tek palestra që ndodhet në Tiranë. Në vendin e tij të punës ka shkuar i pandehuri Gert Shehu, i cili ka marrë pultin e televizorit dhe ka filluar ta lëvizë atë. Lidhur me këtë veprim të të pandehurit, kallëzuesi i ka kërkuar të dalë jashtë ambientit të tij të punës. Por në të kundërt i pandehuri jo vetëm që nuk është larguar, po edhe është konfliktuar me të.

Gjatë debatit, i pandehuri Gert Shehu, e ka goditur kallëzuesin me grusht dhe më pas e ka goditur në kokë me një tullë dekorative, të cilën e ka marrë jashtë ambienteve të vendit të tij të punës. Në kuadër të veprimeve hetimore lidhur me këtë ngjarje është vendosur edhe kryerja e ekspertimit mjekoligjor, lidhur me dëmtimet që ka pësuar kallëzuesi P.V.

Sipas aktit të ekspertimit mjekoligjor të datës 07.08.2017, ka rezultuar se tek shtetasi P.V u konstatuan 4 plagë të kokës me karakteristikat dhe lokalizimet të përmendura më lart. Dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar me mjet të fortë mbretës. Dëmtimet e shkaktuara shtetasit P.V hyjnë në kategorinë e atyre që kanë shkaktuar humbje të aftësisë në punë në masën mbi 9 ditë.”

Dy ditë më parë Gert Shehu goditi me grusht kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ngjarja ndodhi gjatë protestës së opozitës më 6 Dhjetor. 31-vjeçari ndodhet në Spitalin e Traumës pasi ka marrë lëndime gjatë neutralizimit nga forcat e sigurisë së Berishës.

Ditën e nesërme (9 Dhjetor) Shehu pritet që të dalë në seancë gjyqësore për t’u njohur me masën e sigurisë. Ndaj tij aktualisht rëndojnë dy akuza, konkretisht ‘Goditje për shkak të detyrës’ dhe ‘Plagosje me dashje’, për të cilat organi akuzës pritet të kërkojë masën e sigurimit ‘arrest me burg’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco