EMRAT - VIDEO/ Magazinë me 90 rrënjë kanabis, në pranga 54 vjeçarja në Malësi të Madhe, kunata procedohet penalisht

09:52, 07/12/2022
A+ Aa A-

Një 54 vjeçare është arrestuar nga policia në Malësinë e Madhe pasi u kap në flagrancë brenda një magazine ku kultivohej kanabis.

Gjithashtu u procedua penalisht për shkak të gjendjes shëndetësore edhe 43 vjeçarja që ishte me të dhe 4 punonjës të OSHEE-së për shpërdorim detyre.

Ato u kapën brenda një magazine të përshtatur për të kultivuar bimë narkotike, me anë të llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Me finalizimin e fazës së 10-të të operacionit policor të koduar “Qarku” u bë arrestimi në flagrancë i shtetases File Vuksani, 54 vjeçe, banuese në fshatin Jeran, Malësi e Madhe, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të gjendjes shëndetësore, për shtetasen M. V., 43 vjeçe, banuese në fshatin Jeran.  

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasi Ujk Vuksani, 61 vjeç (bashkëshorti i shtetases F. V.) dhe vëllai i tij, shtetasi Gjovalin Vuksani 56 vjeç (bashkëshorti i shtetases M. V.), të dy banues në fshatin Jeran, për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim" dhe “Vjedhja e energjisë elektrike". 

"Këta 4 shtetas dyshohet se kanë bashkëpunuar më njëri-tjetrin, për të kultivuar bimë narkotike cannabis sativa, në një magazinë në pronësi të shtetases së arrestuar F. V., në fshatin Jeran, Malësi e Madhe.

Gjatë kontrollit në ambientet e magazinës, që furnizohej me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, shërbimet e Policisë kanë gjetur 90 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara në vazo, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan 24 llamba elektrike dhe pajisje të tjera elektrike, të cilat shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, në këtë ambient, " njoftoi policia.    

Në vijim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", për shtetasit:

A. S., 23 vjeç, E. B., 37 vjeç, të dy banues në fshatin Gruemirë, I. D., 50 vjeç, banues në Koplik dhe F. D., 54 vjeç, banues në fshatin Bajzë, punonjës të OSHEE Malësi e Madhe.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco