EMRI/ 70 mijë lekë për t’i kthyer patentën qytetares, arrestohet polici

EMRI/ 70 mijë lekë për t’i kthyer patentën qytetares, arrestohet polici

11:06, 02/12/2022
A+ Aa A-

Arrestohet efektivi i Policisë së Tiranës, Alkid Ndreu, anëtar i Komisionit të Gjobave në Drejtorinë e Tiranës, pasi akuzohet për shpërdorim detyre.

Sipas hetimeve është zbuluar se ka marrë 70 mijë lekë të reja për dhënien e patentës së një shtetaseje, që ishte pezulluar për tre muaj.

Burime për Syri TV bëjnë me dije se ne pranga ka rënë dhe sekseri Eduart Caka, ndërsa nën hetim në gjendje të lirë është edhe gruaja që dha ryshfet me inicialet B.D.

NJOFTIMI ZYRTAR

Në datë 01.12.2022, Drejtoria Rajonale e A.M.P-së Tiranë ka kryer arrestimin në flagrancë të punonjësit të policisë A.N., me detyrë specialist i administrimit të dokumentave dhe anëtar i OASH, i dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, si dhe shtetasit E.C., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasja B.D., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim.

Veprimet e mësipërme u kryen nga AMP Tiranë pas autorizimit nga Prokurori i gatshëm, në bazë të të dhënave të mbledhura në rrugë operative se shtetasja B.D. kishte arritur të merrte Lejen e saj të Drejtimit, e cila ishte e bllokuar nga OASH me afat 3-mujor, kundrejt një shume prej 70.000 lekësh e dhënë në formën e ryshfetit tek personat përgjegjës. Nga veprimet hetimore në vijim u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i Lejes së Drejtimit që në atë moment posedohej nga shtetasja B.D.

Vijimi i veprimeve bëri të mundur identifikimin e kapjen e personit ndërmjetës, shtetasi E.C., i cili duke shfrytëzuar njohjet dhe kundrejt shpërblimit financiar të paligjshëm, ka bërë të mundur marrjen e lejes së drejtimit nga punonjësi i policisë A.N., i cili ka detyrimin ligjor të administrimit deri në skadencë të vendimit të OASH dhe dorëzimin e lejes tek shtetasja B.D.

Materialet proceduriale i dërgohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme, ndërsa po punohet për identifikimin e punonjësve të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco