Një krim makabër tronditi dje Kosovën dhe Shqipërinë ku para Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, një 35-vjeçare e cila ishte shtatzënë u vra nga ish-bashkëshorti, Sokol Halili. Viktima ishte në javën e fundit të pritjes së ëmbël e cila u kthye në tragjedi.
Në lidhje me këtë ngjarje makabre ka reaguar edhe “KOALICIONI SHQIPTAR PRO FAMILJES DHE JETËS” ku me anë të një deklarate për shtyp ndan dhimbjen dhe shqetësimin e thellë për dy viktimat e fundit të krimit në familje në Kosovë, teksa rikujton po ashtu edhe rastin e Sadije Godenit, mësuese e shkollës "Dardania" në Prishtinë, e cila u vra nga bashkëshorti.
Ndër të tjera, “KOALICIONI SHQIPTAR PRO FAMILJES DHE JETËS” i kërkon punonjësve të policisë në Shqipëri dhe Kosovë që të jenë më të vëmendshëm në kërkesat për urdhër mbrojtje në familje, për të bërë të mundur parandalimin e dhunës ndaj grave dhe krimit në familje.
Deklarata e plotë:
“Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës” ndien dhimbje dhe shqetësim të thellë për krimin në familje në Kosovë, ku brenda një jave janë vranë dy gra nga bashkëshortët e tyre.
Ngjarja e një ditë më parë e ndodhur në oborrin e QKUK-së, para Spitalit të Gjinekologjisë në Prishtinë, ku dyshohet se burri ka qëlluar për vdekje me armë bashkëshorten e tij 35-vjeçare, e cila ishte shtatzënë, dhe ajo e ndodhur 6 ditë më parë në Prishtinë, ku burri vrau bashkëshorten, Sadije Godenin, mësuese e shkollës "Dardania" në Prishtinë, ku punonte prej 28 vitesh si mësuese e gjeografisë, tregojnë edhe një herë se krimi në familje ka marrë përmasa të mëdha.
“Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës” i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së 35-vjeçares, së cilës iu pre ëndrra në mes për t’u bërë nënë, dhe familjes së mësueses së gjeografisë, që do t’u mungojë jo vetëm familjes, por edhe nxënësve.
“Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës” dënon me forcë dhunën dhe krimin brenda familjes dhe u kërkon autoriteteve policore të shtetit të Kosovës që të marrin masa të menjëhershme për parandalimin e këtyre lloj ngjarjeve që tronditën shoqërinë, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj.
Nga ana tjetër Koalicioni shpreh shqetësimin edhe për funksionimin e Policisë së Prishtinës, e cila sipas të dhënave që janë publikuar në media, ka qenë në dijeni të grindjeve të 35-vjeçares me bashkëshortin e saj, e cila ka kërkuar edhe urdhër mbrojtje. Për këtë arsye “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës” i kërkon punonjësve të policisë në Shqipëri dhe Kosovë që të jenë më të vëmendshëm në kërkesat për urdhër mbrojtje në familje, për të bërë të mundur parandalimin e dhunës ndaj grave dhe krimit në familje.
E ndërsa jemi në ‘16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore’, Fushatës Globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave, “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës” i bën një apel të gjithë shoqërisë, që secili të kujdeset për familjen e tij. Ruani familjen tuaj si një nga gjërat më të shtrenjta, t’i bashkëshort duaje bashkëshorten dhe nënën e fëmijëve të tu, ti bir, apo bijë respektoje nënën dhe babain tënd. Duajeni familjen. Familja duhet të jetë për të gjithë një strehë, mbrojtje dhe dashuri. Vlerësojeni shenjtërinë e jetës dhe mos e trajtoni me lehtësi. Ndërsa besojmë se si shoqëri kemi shumë për të bërë, lutemi që ngjarje të tilla të mos përsëritën më në familjet shqiptare.
Mbrojmё Jetёn!
Mbrojmё Familjen!
Mbrojmё FЁMIJЁT!
“Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës”
© SYRI.net