Sveçla: Arrestimi i Sokol Halilit për vrasjen e gruas shtatzënë është urgjencë, qytetarët të ndihmojnë

Sveçla: Arrestimi i Sokol Halilit për vrasjen e gruas shtatzënë është urgjencë, qytetarët të ndihmojnë

14:54, 01/12/2022
A+ Aa A-

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka folur sot lidhur me vrasjen e një gruaje shtatzënë në Prishtinë, e cila po priste të bëhej nënë. Ai tha se "arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë."

Sveçla shkroi në FB:

"Si të gjithë qytetarët e vendit tonë, jam tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti i saj.

Nga Policia e Kosovës kam kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili.

Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces.

Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër.

Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë.

Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës. Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë."
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco