Pengmarrja dhe vrasja e Jan Prengës, arrestohet në Spanjë një nga urdhëruesit

Pengmarrja dhe vrasja e Jan Prengës, arrestohet në Spanjë një nga urdhëruesit

20:49, 30/11/2022
A+ Aa A-

Prangoset në Spanjë Gentian Funiqi-Doçaj, i akuzuar si një nga personat që ka urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës.

Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Shtetit.

Arrestimi i Doçajt është bërë në Spanjë, pasi ai lëvizte me dokumente false.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Finalizohet, brenda 24 orëve të fundit, një tjetër operacion ndërkombëtar për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Operacioni policor i koduar “Seville" u zhvillua nga Policia spanjolle, në bashkëpunim me Policinë shqiptare.

Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale, mes Policisë së Shtetit dhe Policisë spanjolle, u bë e mundur kapja në Spanjë dhe arrestimi me qëllim ekstradimi, i një shtetasi shqiptar shumë të kërkuar, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për krime kundër personit.

I shumëkërkuari qarkullonte në Spanjë, me dokumente të falsifikuara.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara në bashkëpunim me homologët, falë punës hetimore të kryer nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, që janë të shpallur në kërkim ndërkombëtar, falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale, me homologët spanjollë, në kuadër të operacionit “Seville”, u kap nga Policia spanjolle dhe u arrestua, me qëllim ekstradimi, shtetasi i shumëkërkuar G. F. alias G. M. alias F. O., 40 vjeç, nga Shkodra.

Ky shtetas, në momentin e kapjes nga Policia, mbante një kartë identiteti bullgare të falsifikuar, me gjeneralitete R. I., dhe një sasi lënde narkotike, të cilat janë sekuestruar nga Policia.

40-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit", kryer në bashkëpunim dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit".

Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, në vitin 2020, në Kamzë, Tiranë, ka marrë peng shtetasin J. P.

Interpol Tirana po punon për ekstradimin e këtij shtetasi drejt vendit tonë.

Kush është Gentian Doçaj?

Gentian Doçaj, pjesë e bandës së Dukagjinit kërkohet nga Policia si një prej urdhëruesve të pengmarrjes së Jan Prengës në janar të 2020.

Në atë ngjarje të përfshirë ishin dhe Artan Doçaj, vëllai i Gentjan Doçajt si dhe Ardian Doçaj i cili u vetëdorëzua në kufi dhe madje OFL i sekuestroi edhe pasurinë.

Trupi i Jan Prengës nuk është gjetur ende dhe sot, teksa zanafilla e ngjarjes nisi me vëllain e tij, Anton Prenga i cili kishte bllokuar mbi 100 kg kokainë në Angli, në pronësi të shqiptarit të burgosur në Ekuador, Dritan Rexhepi.

Ky i fundit dyshohet se kërkoi pengmarrjen e Jan Prengës si presion për të liruar ngarkesën, por që më vonë trupi i këtij të fundit nuk është gjetur më.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco