Gratteri: Mafia shqiptare u forcua falë korrupsionit të lartë në Shqipëri

Gratteri: Mafia shqiptare u forcua falë korrupsionit të lartë në Shqipëri

09:41, 30/11/2022
A+ Aa A-

Ndërsa e konsideron mafien shqiptare ndër më të rrezikshme në Evropë, prokurori i Antimafies Italiane, Nicola Gratteri, thotë se ajo u fuqizua edhe falë korrupsionit të lartë në vendin tonë.

“Mafia shqiptare nuk është më ajo e grabitjeve në vila, por është një mafia shumë e strukturuar që është pasuruar shumë në vendin e saj falë një korrupsioni të niveli të lartë”, është shprehur Gratteri gjatë një interviste për “youtuber”-in më të njohur italian, kantautori Fedez në programin “Myshk i egër” (Muschio Selvaggio). Ai deklaron se në kontinentin evropian ka tri organizata mafioze të rrezikshme, duke përmendur fillimisht mafien kalabreze “Ndrangheta” e më pas atë shqiptare e duke vijuar me mafie nga Afrika e Veriut që vepron në kontinentin e vjetër.

“Mafia kalabreze ‘Ndrangheta’ ka një xhiro biznesi të barabartë me 50 miliardë euro në vit, është e pranishme në Australi, në SHBA, Kanada, Gjermani, e cila është vendi evropian me praninë më të madhe të ‘ndranghetistave’ në territorin e saj, pasi ka një legjislacion të favorshëm e jo një kontrast të vërtetë kundër pastrimit të parave të pista. Në Gjermani mund të hysh në një dyqan makinash me një valixhe me para të blesh me para në dorë një automjet e askush nuk të pyet se ku i more këto para. Mafia kalabreze ‘Ndrangheta’ ka monopolin e kokainës në Amerikën Jugore. Kanë mbërritur të parët në kontraktimin e blerjes e transportit të saj në Europë dhe është e vetmja mafie që mund të blejë kokainë nga pyjet e Amazonës me një çmim 1000 euro kilogrami, kur të gjitha mafiet e tjera e blejnë me 1800 euro.

Nga 1 kg kokainë fitimi është katërfish e nuk ka fitim më të madh se sa ky biznes, kur një gramë kokainë shitet 50 euro. ‘Ndrangheta’ mbetet një nga mafiet më të besueshme në bashkëpunimin me kartelet amerikano jugore, për egërsinë e tyre, për numrin e pakët të të penduarve, për garancinë e besueshmërisë që japin në aktivitetit kriminal. ‘Ndrangheta’ është tashmë në brezin e tretë të brokerave që punojnë e jetojnë në Amerikën e Jugut e kontraktojnë kokainë prej gati tri gjeneratash. Për të hyrë në biznesin e kokainës së familjes të ‘Cosa Nostra’-s i kërkojnë leje ‘Ndragheta’-s kalabreze, e cila ka monopolin e këtij trafiku në botë”, theksoi ai.

Më tej, prokurori i Antimafies Italiane u ndal edhe te mënyra se si funksionon mafia në trafikun e kokainës dhe drogërave të tjera nga Amerika Latine drejt Evropës. Sipas tij, këto organizata janë favorizuar edhe nga lehtësirat që krijojnë shumë shtete për pastrimin e parave të tyre.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco