Kokaina në Fier, si u pikas ngarkesa që u nis nga Kolumbia

Kokaina në Fier, si u pikas ngarkesa që u nis nga Kolumbia

17:58, 26/11/2022
A+ Aa A-

Të 10 të arrestuarit si trafikantë dhe anëtarë të grupit kriminal shqiptaro kolumbian, i mohuan akuzat dhe këmbëngulën se nuk kishin lidhje me 430 kilogramët e kokainës. Por prokurori i SPAK që ndoqi për disa muaj bashkë me agjencitë e huaja rrugëtimin e kokainës drejt Fierit këmbëngul se provat tregojnë të kundërtën.

34-vjeçari Nikolin Gjolena, një biznesmen në fushën e ndërtimit vlerësohet si financuesi dhe mes organizatorëve, por ai nuk është i vetmi dhe as njeriu kryesor në narkotrafikun me vlerë 40 milionë euro. Ndërtuesi shfaqet në përgjime dhe vëzhgime ambientale theksojnë burimet teksa paletat me pleh organik po ndiqnin linjën Kolumbi, PIRE, Mal i Zi, Shqipëri.

Për të siguruar kalimin pa probleme të ngarkesës dhe ngritjen e laboratorit, Gjolena shfrytëzoi miqësinë e ngushtë me Denilson Çervanakun, një 25-vjeçar i cili i hapi derën e të atit Viktorit dhe xhaxhait Zeneli. Madje edhe partnerja e tij, që ka edhe shtetësi gjermane dyshohet se u implikua në një rast duke u kujdesur që banesa të ruhej me armë.

Për muaj me radhë hetuesit dyshuan se 30-vjeçarja ishte përkthyese dhe se po kujdesej për dokumentacionin. Por me kalimin e javëve u kuptua se Ferhati kishte dijeni në lëvizjet e grupit dhe se po ashtu po kryente veprime konkrete.

Nën akuzën e grupit kriminal dhe trafikut, 10 të dyshuarit e laboratorit të Frakullës u lanë nën arrest me burg. Edhe pse ata këmbëngulën që duhej kryer ekspertiza e plehut organik dhe se asnjëri prej tyre nuk kishte dijeni për kokainën. Por qëndrimi mohues i familjes Çervanaku bie poshtë nga vizita në shtëpinë e tyre të kolumbianit Zaimir Rodrigez.

Ai udhëtoi i shoqëruar nga të dyshuarit e tjerë që udhëtojnë të armatosur dhe hyri në banesë për të marrë mostër nga plehu organik ku ishte tretur kokainë. Teksa po kthehej nga shtëpia në fjalë në dalje të fshatit, po i priste një postbllok policor që u prezantua si policia rrugore.

Ky postbllok ishte ngritur me urdhër të SPAK dhe qëllimi ishte identifikimi i njeriut që po udhëtonte me të rinjtë e armatosur. Për të justifikuar postbllokun policia rrugore ju vendosi atyre një gjobë për shkelje të rregullave të qarkullimit, përmendet në dosje.

Gjykata ka urdhëruar ndalimin e publikimit të akteve, kurse grupi i hetimit thotë se për trafikimin e 430 kg kokainë, ka edhe persona të tjerë nën hetim që kanë rolin e organizatorit. Disa prej tyre thuhet se aktualisht gjenden në Kolumbi dhe të tjerët në Tiranë.

Itinerari
Sasia me pleh-kimik ku ishin fshehur 430 kg kokainë është ngarkuar në muajin maj 2022 në kontejner në Kolumbi dhe nëpërmjet një anije transporti është nisur për në portin e Pireut/Greqi ku ka mbërritur në fillim të korrikut 2022. Prej andej me anije transporti pas 3 ditësh është dërguar në portin e Tivarit të Malit të Zi dhe në Shqipëri është transportuar me kamion në muajin shtator 2022.

Gjatë gjithë kohës, kjo ngarkesë është mbajtur 24 orë nën vëzhgim nga autoritetet. Kjo me qëllim identifikimin e plotë të bashkëpunëtorëve, të cilët kanë marrë pjesë në përgatitjen e dokumentacionit rreth hapjes në Shqipëri të kompanisë që do realizonte transportimin dhe marrjen në dorëzim të "ngarkesës" brenda të cilës dyshohej se është përzier lënda narkotike e llojit kokainë, pagesat e realizuara për blerjen, transportimin dhe zhdoganimin e saj, personat që do kujdeseshin për pritjen dhe marrjen në dorëzim të ngarkesës në Shqipëri, personat që do kujdeseshin për mbajtjen, magazinimin dhe ekstraktimin e lëndës së dyshuar narkotike nga sasia me "pleh-organik", dhe kush ishin personat e specializuar që do mundësonin kryerjen e këtij procesi.

Nga vëzhgimi ka rezultuar se droga ishte zhvendosur në ambiente të ndryshme në Shqipëri, nga ku pardje (24 nëntor) është bërë i mundur edhe sekuestrimi i saj në Frakull e Madhe në Fier. Në total janë kontrolluar 14 ambiente në Tiranë, Lushnje, Fier dhe 10 në pranga, 1 në kërkim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco