VIDEO/ Vrasja e Xhuvanit, Paplekaj: Policia nuk ndërhyri, u rrezikuam

09:08, 01/10/2022
A+ Aa A-

Ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Paplekaj, kërkon nga Prokuroria e Elbasanit që të rihapë hetimet në lidhje me ngjarjen ku mbeti i vrarë eksponenti i rëndësishëm i Partisë Socialiste në Elbasan, Pjerin Xhuvani. Gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e qytetit, Paplekaj tregoi edhe arsyet se pse kishte vendosur të ndërmerrte një akt të tillë.

“Nuk jemi lajmëruar as unë, as avokati im. Unë kam parë një mosveprim të policisë në kushtet kur kolegun tim e kisha të plagosur, nuk kisha asnjë reagim nga policia… dhe kur pashë që po më rrezikohej jeta jam detyruar të qëlloj”, mësohet të ketë deklaruar Paplekaj në sallën e gjyqit.

Gjithashtu, në kërkesën drejtuar gjykatës përmes avokatëve, Paplekaj kërkon rishqyrtim të disa akteve të ekspertizës nga ana e organit të hetimit. Pas këtyre kërkesave, seanca u ndërpre për shkak se Prokuroria kërkoi kohë për të shqyrtuar pretendimet e avokatëve mbrojtës. Seanca e radhës është lënë për ditën e hënë të javës së ardhshme.

Për organin e akuzës, Paplekaj është autori i dyshuar i vrasje së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, më 21 prill të vitit të shkuar, ndërsa ish-oficeri i Gardës shoqëronte shtabin elektoral të Partisë Demokratike. Sipas Prokurorisë, në incidentin e rëndë që shoqëroi fushatën zgjedhore, ka rezultuar se Arbër Paplekaj, përveç viktimës, ka qëlluar me armën e tij edhe efektiven e Policisë Xhensila Sota, e cila kishte mbërritur në vendin e ngjarjes për të ndërhyrë në konfliktin mes shtabeve elektorale të PS-së dhe PD-së.

Prokurorët e çështjes Ritvan Suka dhe Platin Aliçka kanë pushuar akuzat për armëmbajtje pa leje, tentativë vrasje të punonjësve të policisë, vjedhje me dhunë dhe heqje e paligjshme e lirisë për Arbër Paplekaj, si dhe pushojnë akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë për të gjithë anëtarët e strukturës për mbrojtjen e votës të pranishëm në vendin e ngjarjes.

Përveç Paplekajt, Prokuroria dërgoi për gjykim edhe zyrtarë të lartë policie, përkatësisht zëvendësdrejtorët Nikollaq Palla dhe Albert Nushi, si dhe 6 policët e forcave “Shqiponja”, të cilët akuzohen të gjithë për shpërdorim detyre.

Në dosjen e Prokurorisë së Elbasanit për ngjarjen e ndodhur më 21 prill të vitit të shkuar, ku mbetën të plagosur edhe 4 persona të tjerë, thuhet se efektivët e policisë kishin “bërë sehir” gjatë ngjarjes, duke mos ndërhyrë për të shmangur konfliktin dhe më pas përplasjen me armë. Sot e asaj, disa nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes nuk kanë “autor” për shkak të zhdukjes së armës nga ana e personave që qëlluan dhe për opozitën ishin pjesëtarë të grupeve kriminale.

“Në rastin objekt hetimi, moskryerja e këtyre veprimeve, shoqërimi i shtetasit Mehmet Greca në mënyrë të menjëhershme, kanë lejuar shtetasit që njiheshin me Mehmet Grecën të marrin territor dhe të dominojnë atë në prani të forcave të Policisë së Shtetit”, thonë prokurorët, të cilët fajësojnë efektivët e Policisë për përshkallëzimin e ngjarjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco