Atentati me silenciator/ Si e shpalli policia në kërkim autorin... e vdekur

Atentati me silenciator/ Si e shpalli policia në kërkim autorin... e vdekur

10:16, 29/09/2022
A+ Aa A-

Kur kanë kaluar pesë muaj nga atentat i dështuar ndaj një 44- vjeçari në Lushnje, policia ka arritur të identifikojë autorin dhe ta shpallë në kërkim atë, megjithëse dyshohet të ketë ndërruar jetë.

Autori i dyshuar i atentatit me armë silenciator ndaj shtetasit Kujtim Meta, dyshohet të jetë 29-vjeçari Dorian Shurdhi, banues në Lushnjë, i cili menjëherë pas krimit dyshohet të jetë larguar jashtë vendit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Skënder Libihova” më 20 prill të këtij viti në atë që u konsiderua si larje hesapesh midis grupeve kriminale në atë qytet.

“Është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi ligjor i ngjarjes së ndodhur më datë 20.04.2022, në lagjen “Skënder Libohova”, Lushnjë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi K. M., 44 vjeç. Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe provave të grumbulluara në lidhje me këtë ngjarje, u bë identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit D. Sh., 29 vjeç, banues në Lushnjë, i cili u shpall në kërkim”, njoftoi policia.

Për 29- vjeçarin, pas identifikimit nga ana e policisë, në bashkëpunim me prokurorinë, bazuar në provat e siguruara, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Ndërsa ende nuk dihet motivet konkrete që qëndrojnë pas atentatit me armë zjarri, policia tanimë ka një autor edhe pse krimi ishte i mirë-organizuar dhe atentatori u përpoq të mos linte gjurmë.

Kujtim Meta po konsumonte kafe në një lokal në zonën e quajtur “Stacioni i Trenit” pasditen e 20 prillit të këtij viti, kur një person i maskuar me syze të errëta e me kapuç në kokë, pasi ka hyrë brenda e ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë. Burimet bënë me dije se atentatori ka përdorur armë tip silenciator dhe pasi e ka qëlluar është larguar nga vendi i ngjarjes.

Dëshmitarët okularë bënë me dije se autori i ngjarjes ishte i shoqëruar me një person tjetër në momentin kur kreu atentatin. Ata thanë gjithashtu se nuk e kishin kuptuar se çfarë po ndodhte pasi kishin besuar se personi i maskuar i kishte dhënë diçka 44-vjeçarit, por gjithçka është bërë e qartë kur ai është rrëzuar nga tavolina e lokalit ku konsumonte kafe dhe ka përfunduar në tokë si pasojë e plumbave të marrë në trup.

Meta ishte i vetëm në tavolinë dhe pranë tij nuk kishte persona të tjerë, megjithëse atentatori duket se e ka pasur të qartë shënjestrën e tij. Policia tha se dëshmitarët kanë treguar se Kujtim Meta kishte rreth gjysmë ore që ishte ulur për kafe, ndërsa autori hyn qetësisht dhe e qëllon me të paktën 4 plumba, shkruan Panorama.

Ndonëse në lokal ka pasur edhe 4 tavolina me klientë të tjerë, atentatori e kishte të qartë shënjestrën. Pronari i lokalit ka qenë ai që e ka dërguar 44-vjeçarin e plagosur në spital, i cili pas ndihmës së parë mjekësore në Lushnjë u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Personi i dytë që shoqëronte atentatorin, e ka ndihmuar atë të largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ajo që dihet deri më tani, është se Kujtim Meta ishte mik me Besnik Hidën, i cili mbeti i vrarë në një atentat më 1 tetor të vitit 2019, vrasje e cila dyshohet se u krye nga kundërshtarët e Aldo Bares. Krimi, sot e asaj dite ka mbetur i pazbardhur.

Policia dhe Prokuroria e Lushnjës akuzojnë 29- vjeçarin Dorian Shurdhi si autorit të atentatit të dështuar ndaj Kujtim Metës, ngjarje e ndodhur në prill. Policia thotë se akuzat ndaj tij janë ngritur të bazuara mbi prova, duke e shpallur në kërkim me urdhër të Gjykatës për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Ndërkohë që policia thotë se vijon për kapjen e të riut, 29-vjeçari ka ndërruar jetë në Belgjikë. Rreth dy javë më parë, Shurdhi është dhunuar barbarisht nga persona të tjerë në shtetin belg duke përfunduar në koma dhe më 27 shtator, mësohet se ka ndërruar jetë në spital, shkruan Panorama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco