'Kafe ose në komisariat', përjashtohen nga policia dy efektivët që i kërkonin para qytetarëve (EMRAT)

'Kafe ose në komisariat', përjashtohen nga policia dy efektivët që i kërkonin para qytetarëve (EMRAT)

22:33, 28/09/2022
A+ Aa A-

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me denoncimin e bërë për dy punonjës të policisë, pas pamjeve filmike të transmetuara nga emisioni investigativ ‘Stop’, ku shiheshin duke u kërkuar ryshfet qytetarëve.

Policia ka përjashtuar nga uniformat blu dy efektivët. Kujtojmë se policët u dënoncuan pasi ndalonin qytetarë në zonën e Kamzës dhe kërkonin para, ose në të kundërt do t’i shoqëronin personat që ndalonin në komisariat.

Efektivët e përjashtuar janë Shamet Kuqo dhe Elton Gjedia. Gjithashtu bëhet me dije se polica ka nisur hetimet edhe për specialistin e Seksionit të Patrullës së Përgjithshme A.K., për shkelje disiplinore si edhe ndaj shefit të seksionit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Komisariatin e Policisë Nr.6 komisariat V.I pasi dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast.

Në videon e transmetuar nga STOP shihej momenti kur një prej efektivëve kishte ndaluar një çift të cilët qëndronin brenda një makine në afërsi të Kasharit. Pasi i kishte ndaluar i ka kërkuar mjetet e identifikimit, duke i thënë se do t’i dërgojë për verifikim në komisariat.

Pas kësaj ‘kërcënimit’, polici u ka kërkuar të rinjve një “kafe” në mënyrë që të mos t’i dërgojë në komisariat. Në filmime duket se i riu i ka dhënë efektivit para.

Njoftimi i Policisë
Menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike, në emisionin investigativ “STOP”, ku u shfaqën dy punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 6, në shpërdorim të plotë të detyrës dhe në shkelje të hapur të etikës dhe të komunikimit, duke i marrë një shumë parash, me anë të akteve korruptive, drejtuesit të një automjeti që kishte ndaluar në anë të rrugës, në Kashar, sqarojmë opinonin publik se: 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar menjëherë përjashtimin përfundimtar nga radhët e Policisë së Shtetit, të dy punonjësve të Patrullës së Përgjithshme, inspektorëve Shamet Kuqo dhe Elton Gjedia. 

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur menjëherë hetimin e thelluar disiplinor, për shkelje të rëndë disiplinore, ndaj specialistit të Seksionit të Patrullës së Përgjithshme, Nënkomisar A. K., si dhe ndaj shefit të Seksionit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Komisariatin e Policisë Nr. 6, Komisar V. I. 

Njëkohësisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimin penal në lidhje me këtë rast. 

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit falënderon drejtuesit e emisionit “STOP” dhe inkurajon median dhe qytetarët që të denoncojnë çdo rast të korrupsionit, të abuzimit me detyrën apo shkelje të kodit të etikës dhe sjelljes me qytetarët, duke iu garantuar se është shumë i vendosur për të reaguar me ashpërsinë e ligjit që të largojë nga radhët e Policisë së Shtetit, punonjës të tillë që njollosin emrin dhe uniformën e Policisë së Shtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco