VIDEO/ Arrestohet 42-vjeçari me dy emra në Morinë, i gjenden 5 kg heroinë

VIDEO/ Arrestohet 42-vjeçari me dy emra në Morinë, i gjenden 5 kg heroinë

10:50, 27/09/2022
A+ Aa A-

Mëngjesin e sotëm në hyrje të pikës kufitare të Morinës, janë sekuestruar rreth 5.1 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, ndërsa është vënë në pranga 42-vjeçari që e transportonte.

Në kuadër të operacionit të koduar “Risku”, në hyrje të RSH-së, shërbimet e Policisë kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Golf 6”, me drejtues shtetasin Abdullah Ahmeti alias Abdullah Jashari, për të cilin disponohej informacion në rrugë operative nga Policia Kufitare.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një çantë iu gjetën 5 kilogramë e 107 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare.

Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin A. A. alias A. J., 42 vjeç, banues në Preshevë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco