Mbetën të bllokuar në kanionin e Përmetit, shpëtohen dy turistët francezë dhe një i moshuar

Mbetën të bllokuar në kanionin e Përmetit, shpëtohen dy turistët francezë dhe një i moshuar

19:48, 11/08/2022
A+ Aa A-

Dy turistë francezë dhe një i moshuar mbetën të bllokuar pasditen e kësaj të enjteje teksa eksploronin kanionet në Përmet. Sipas raportimeve, dy francezët si pasojë e reshjeve të shiut, u bllokuan në zonën e quajtur 'Kanioni i Langaricës'. Policia ndihmoi turistët ndërsa gjatë shpëtimit të tyre, u gjet dhe një i moshuar i cili gjithashtu kishte mbetur i bllokuar.

Punonjësit e Policisë së bashku me shërbimet zjarrfikëse i kanë nxjerrë 2 turistët dhe të moshuarin nga terreni i vështirë ku ishin bllokuar dhe më pas u është ofruar kontrolli mjekësor. Sipas raportimeve ata aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Njoftimi i Policisë
Më datë 11.08.2022, rreth orës 16:15, në sallën operative Përmet ka ardhur një telefonatë se dy turistë francezë, duke eksploruar me këmbë zonën e quajtur "Kanioni i Langaricës", në Përmet, kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet janë nisur në drejtim të zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e subjektit privat "Vjosa Explorer", kanë ndërhyrë në zonë dhe kanë bërë të mundur lokalizimin e turistëve, në Kanionin e Langaricës.

Gjatë kërkimit për 2 turistët francezë, i është dhënë ndihmë dhe një shtetasi të moshuar, i cili gjithashtu kishte mbetur i bllokuar në këtë zonë.

Punonjësit e Policisë, së bashku me shërbimet zjarrfikëse dhe punonjësit e "Vjosa Explorer", i kanë nxjerrë 2 turistët dhe shtetasin e moshuar nga terreni i vështirë ku ishin bllokuar dhe më pas u është ofruar kontrolli mjekësor. Aktualisht ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco