Italianët godasin grupet gjakësore të Pulias, vranë shqiptarin 5 vite më parë/ 24 në pranga, mes tyre edhe një bos i mafies

Italianët godasin grupet gjakësore të Pulias, vranë shqiptarin 5 vite më parë/ 24 në pranga, mes tyre edhe një bos i mafies

13:52, 05/07/2022
A+ Aa A-

I ekzekutuar 5 vite më parë me tre plumba në automjetin e tij, i hedhur në anë të rrugës, historia e vrasjes së Edvin Sadikut duket se nuk ka pushuar së hetuari dhe gjurmuari asnjëherë nga Prokuroria e Pulias.

Për pasojë, intensifikimi i hetimeve ka çuar pas prangave mëngjesin e djeshëm emra “VIP” të krimit vendas, të cilët sipas antimafias i përkasin një grupi mjaft të rrezikshëm mafioz. Me aktivitet të konsoliduar ndër vite në fushën e trafikut të lëndëve narkotike, kryesisht të kanabisit dhe kokainës, me lidhje të fuqishme edhe me grupet kriminale shqiptare, të arrestuarit akuzohen për një mori aktesh të rënda si vrasje, trafik dhe gjobëvënie. Por mbi të gjitha, prokurorët mendojnë se kanë hedhur dritë edhe mbi ekzekutimin e të riut shqiptar Edvin Murati, trupi i të cilit u gjet në një fshat të Barit. Po ashtu, ata pretendojnë se kanë gjetur edhe autorët e një prej vrasjeve më të rënda të ndodhur në fundvitin e 2017-s kur nga përplasja mes dy klaneve mafioze për sundimin e territorit të drogës, i morën jetën një gruaje të pafajshme.

Të dhënat e operacionit

Referuar mediave italiane, bëhet me dije se antimafia e Barit ka realizuar mëngjesin e djeshëm megaoperacionin e koduar “Porta Robustina”, i cili çoi në urdhër-ndalimin e 25 personave të akuzuar për trafik droge e pjesëmarrje në aktivitete mafioze. Hetimet mësohet se nisën pas vrasjes së shqiptarit Edvin Sadiku në shkurtin e vitit 2017 për afera të lidhura me trafikun e lëndëve narkotike e që zbardhi luftën mes klaneve mafioze “Conte” e “Cipriano” me veprim në territorin e Puglias e kryesisht në zonën e Bitontes. Beteja mes dy klaneve mafioze, aso kohe, konkretisht më 31 dhjetor të 2017-s solli edhe vrasjen e gruas së pafajshme Anna Rosa Tarantino.

Nga të dhënat hetimore, që janë bërë publike dje nga mediat italiane, saktësohet se mbi 25 personat e ndaluar rëndojnë dhe akuzat e metodave mafioze, kërcënuese e dhune. Nën hetim janë vënë dhe 43 persona të tjerë si bashkëpunëtorë të dy klaneve mafioze, si dhe për armëmbajtje pa leje. Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 kg marijuanë, 500 gramë hashash,100 gramë kokainë, 90 gramë heroinë, një pistoletë gjysmë automatike, si dhe dhjetëra fishekë të kalibrave të ndryshëm, bëjnë me dije mediat italiane.

Arrestimi ditën e dasmës

Lista e vrasjeve të pamëshirshme midis dy klaneve në Bitonto dhe disa zona të tjera, ku përfshihet edhe ajo e 33-vjeçarit shqiptar, ishte dhe është pjesë e hetimeve që Policia e Barit ka mbyllur, duke çuar në arrestimin edhe të Cassano Ottavio Di Cillo. Detajet e arrestimit të këtij personi të rrezikshëm, i sjellin mediat lokale, të cilat kanë pasqyruar kryesisht momentet e prangosjes së të akuzuarve. Sipas të dhënave ditën e diel, karabinierët i trokitën në derë italianit teksa ai po përgatitej për dasmën, e cila duhej të kremtohej në kishë.

Di Cillo përfundoi në burg në vend bashkë me 23 persona të tjerë ku sipas të dhënave, është lënë në arrest shtëpie vetëm bashkëpunëtori i drejtësisë Giuseppe Casadibari. “Me këtë hetim ne kemi mbyllur rrethin për atë që ka ndodhur ndër vite në Bitonto dhe në disa komuna fqinje”, tha koordinatori i veprimeve hetimore, Francesco Giannella, sepse anëtarët e klanit “Cipriano” përfunduan pas hekurave, disa prej të cilëve midis viteve 2017 dhe 2018. Ciprianot ishin përfshirë në një luftë të përgjakshme me grupin “Conte”, prej së cilës mbeti e vrarë gabimisht edhe e moshuara Anna Rosa Tarantino. Karabinierët u koordinuan nga prokurorët Ettore Cardinali dhe Marco D’Agostino, të cilët dëgjuan gjithashtu bashkëpunëtorë të shumtë të drejtësisë, i fundit prej të cilëve Gaetano Palmieri, të cilët gjyqtari Marco Galesi në urdhëresë i konsideroi të besueshëm dhe të dobishëm për të demonstruar se përkundër fakteve të kontestuara që i referohen viteve 2017 dhe 2018, organizata në kuadër të bashkimit kriminal ishte ende funksionale./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco