Vrasja e Xhuvanit në Elbasan/ Ish-zv/drejtori revoltohet me gazetarët

Vrasja e Xhuvanit në Elbasan/ Ish-zv/drejtori revoltohet me gazetarët

09:58, 01/07/2022
A+ Aa A-

Të pa shoqëruar nga avokatët dhe as nga forcat e rendit, dy zv/drejtorët e Policisë, janë paraqitur dje në Gjykatën e Elbasanit për t’u njohur me masën e sigurisë.

Ndaj Albert Nushit dhe Nikollaq Pallës, është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, çka do të thotë se duhet të shoqëroheshin nga forca policie për në ambientet e Gjykatës. Ndërkohë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka shpallur grevë pa afat, dy zyrtarët e lartë policor nuk shoqëroheshin as nga përfaqësues ligjor.

Ndërkohë që drejtohej i vetëm për në ambientet e Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë të ndërmarrë ndaj tij, masë e cila është lënë në fuqi, Albert Nushi u përball me kamera të shumta televizionesh përpara ambienteve të Gjykatës, duke u ndjerë i bezdisur prej tyre për shkak të masës së sigurisë, çka i rrezikon detyrën në radhët e Policisë së Shtetit.

“Ikni tani më lini rehat”, ishte e vetmja fjali që u dha Nushi gazetarëve i pyetur për akuzat e ngritura ndaj tij.

Prokuroria e Elbasanit njoftoi pak ditë më parë se në përfundim të hetimeve, ka rezultuar se Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, dy ish-zëvendësdrejtorë të Policisë së Elbasanit kanë dhënë dëshmi të rremë lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, si dhe kanë “shpërdorim detyre”.

Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se drejtuesit e lartë policor ishin shumë pranë vendit ku ndodhi përplasja midis militantëve të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, duke preferuar të mos ndërhynin dhe për pasojë, konflikti u përshkallëzua duke shkaktuar një të vrarë dhe katër të plagosur. Pamjet e një kamere sigurie të sekuestruara nga Policia dhe të analizuara tregojnë se i ashtuquajturi grupi i mbrojtjes së votës pranë PD-së mbërriti në vendngjarje në orën 13:47, ndërsa dy drejtuesit e Policisë mbërritën në vendngjarje dhjetë minuta më vonë me një automjet “Range Rover” të bardhë nën pronësinë e Policisë.

Në orën 14:01, tri automjete kalojnë me shpejtësi dhe këto automjete kthehen tri minuta më vonë. Në orën 14:07 në vendngjarje mbërrin Pjerin Xhuvani, një politikan lokal dhe konfrontohet me mbështetësit e Partisë Demokratike. Ndërsa në zonë ka pasur të shtëna nga disa armë, prokurorët nuk kanë arritur të përcaktojnë se kush ishte autori i të shtënave, përveç armës së Arbër Paplekajt.

Ndërkohë, Prokuroria thotë se drejtuesit e Policisë nuk kanë ndërhyrë për të ndaluar Mehmet Grecën, çka mund të ndalonte përshkallëzimin e situatës. “Në rastin objekt hetimi, moskryerja e këtyre veprimeve, shoqërimi i shtetasit Mehmet Greca në mënyrë të menjëhershme, kanë lejuar shtetasit që njiheshin me Mehmet Grecën të marrin territor dhe të dominojnë atë në prani të forcave të Policisë së Shtetit”, thonë prokurorët, të cilët fajësojnë efektivët e Policisë për përshkallëzimin e ngjarjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco