Kush po e helmon Kukësin?!

Kush po e helmon Kukësin?!

16:01, 29/06/2022
A+ Aa A-

Nga Julian Hoxhaj

Prej katër ditësh, në Kukës ka një situatë të pazakontë me shëndetin e qindra qytetarëve. Të paktën, sipas raportimeve zyrtare, në katër ditë në Urgjencën e Spitalit në Kukës janë paraqitur më shumë se 600 pacientë për ndihmë mjekësore.

Simptomat që kanë pacientët janë kryesisht si ato të helmimit, diarre, refluks, dhimbje koke, marrje mendësh etj.

Në ditën e parë të situatës, një mjek i urgjencës deklaroi se “shkak i helmimit mund të jetë uji i pijshëm”. Ky pohim lidhej me faktin se pacientët ishin kryesisht nga fshati Shtiqen në Kukës. Më pas, këtë pohim të mjekut e përforcoi kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, i cili teksa donte të “vinte vetullat” i nxori “sytë”.

Gjici tha: Uji është i pijshëm, por është përzier me ujin e vaditjes! Pas këtij prononcimi të kryebashkiakut, në Kukës ra një heshtje “varri”. Institucionet “kyçën” gojën, asksush nuk flet, askush nuk thotë se çfarë po ndodh, askush nuk di çfarë! I vetmi që flet dhe di çfarë bëhet është kryebashkiaku!

Dje doli dhe tha se po përhapet panik, do ndiqen penalisht. Po dje, Safet Gjici tha se “uji në Kukës është i pijshëm, edhe atje ku është përzier uji i pijshëm me të vaditjes, prapë analizat kanë dalë mirë”. Por kjo deklaratë nuk ndali fluksin e pacientëve në spital.

Dje, në 24 orë, morën shërbim 260 pacientë, sot në 24 orë, morën shërbim 130 pacientë, qytetarët vijojnë të shkojnë në spital. Mjekët flasin me pikatoret, duket të trembur, duket se diçka dinë por nuk e thonë. Mjeku sot tha se “helmimi është, por kjo ka ndodhur nga ushqimet”.

Unë e kuptoj mjekun, dhe ai e kupton veten, që nuk mund të helmohen 600 njerëz nga ushqimi (se së paku kanë frigorifer dhe në Kukës nuk është i nxehti i Tiranës). E megjithatë, diçka nuk shkon! Helmim ka, por helmimi nuk dihet nga se ka ndodhur.

As Ministria e Shëndetësisë, as Instituti Shëndeti Publik, asnjë institucion nuk flet! Ka një deklaratë disa rradhëshe të Policisë për nisje të hetimeve, por përsëri çdo gjë me mjegull…

Shumë pyetje kërkojnë përgjigje, por kurrëkush nuk përgjigje! Çfarë po ndodh në Kukës? Pse ka kaq shumë pacientë në spital? Nga se janë helmuar pacientët? Pse ISHP nuk doli vetë në deklaratë për të bërë publike analizat e ujit në Kukës? Pse ISHP nuk flet zyrtarisht për situatën vet, por punën e saj ia delegon kreut të bashkisë, dhe ky i fundit lexon atë që bën ISHP? Pse mjekët thonë që “është helmim”, por me zor thonë se “shkak janë ushqimet e prishura”?

Ndoshta, nesër ISHP do të dalë me analiza të tjera dhe do të tregojë që Kukësi është kthyer në vatër Covidi, ndërsa gjithçka tjetër është në rregull!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco