VIDEO-SYRI TV/ Tirana, metropoli i punishteve të armëve, pronarët e tyre, në kërkim ose në ...

13:24, 26/06/2022
A+ Aa A-

Depot apo konsideruar në disa raste, punishtet e armëve në Tiranë po gjejnë përhapje masive. Dyshohet se për 2 të fundit, njërën të zbuluar në Mëzes dhe tjetrën tek Liqeni i Thatë, porositeshin për ngjarje kriminale në Elbasan. Por si janë të organizuara këto rrjete dhe kush janë pronarët e tyre? Ata rezultojnë ose persona në kërkim, ose persona që kanë porositur krime, por ka raste edhe kur vetë kanë rënë viktimë e atentateve.

Nga SYRI TV

Dy operacionet e fundit në Tiranë për goditjen e ‘depove të armëve’ si dhe statistikat nga e kaluara jo e largët tregojnë se metropoli shqiptar është kthyer në një trend për grupet kriminale për të fshehur dhe modifikuar armë.

Eno Papa-Beqiri, ishte i fundit që ra në pranga, ndërsa në gjurmët e tij policia arriti përmes telefonit të Dorian Kalos, njërit prej të arrestuarve vetëm disa ditë më parë në Mëzez, për të njëjtin motiv. Të rinjtë ka dyshime të forta që siguronin armatim për grupet kriminale në qytetin e Elbasanit, por jo vetëm.

Tirana dhe sidomos zonat periferike të saj janë të preferuarat, ndaj edhe operacionet policore kanë qenë më të shpeshta në këto pika të nxehta, që janë kryesisht zona si Yzberishti, Yrsheku, Liqeni i Thatë etj. Një fenomen i tillë u pa se gjen terren me vrasjen e Devi Kasmit në 2018-ën. Policia ra në gjurmët e autorit grek ish-komandos Ethimios Efthimiou.

Në zonën e Yzberishtit, në një banesë larg rrugës kryesore kur i vuri prangat vrasësit, policia gjeti edhe një arsenal armësh të dyshuara si të përdorura në disa ngjarje kriminale. Brenda banesës u gjetën snajperë, mina me telekomandë antitanke e dronë vëzhgues. Natyrisht, greku i shërbente një grupi të fuqishëm kriminal.

Në Yrshek, jo shumë larg Yzberishtit, në qershor të 2020-ës, Policia zbuloi arsenal armësh në banesën e Gëzim Harokut, një të shpalluri në kërkim. Ai u vendos në pranga ndërsa Erigers Mihasi, i cili u ekzekutua një vit më pas bashkë me shokun e tij në Astir, u shpall në kërkim.

Do të bënte bujë një operacion i koduar ‘Kompleks’. Dëshmia e artë e Enver Jamakut, të arrestuar për tritolin në makinën e Gjon Menës në Kamëz, çoi policinë në një depo të vërtetë armësh në zonën e Oxhakut.

Kjo është tabela me përmbledhje e totalit të armatimeve dhe mjeteve të rënda që janë sekuestruar.

Armët e sekuestruara në total:

7 snajpera

78 armë zjarri automatike

24 pistoleta

13 kallëpe tritoli

110 granata

1 arkë me eksploziv

55 pushkë dhe armë gjahu

2 bomba me telekomandim

26 anti-tanke

Por çfarë kanë treguar operacionet e derisotshme?! Shumica e armëve tregon se janë përdorur në krime kundër jetës apo pronës. Të preferuarat për kriminelët duket se janë ato automatike, pistoletat deri tek snajperët me precesion të lartë. Nuk mbetet pas eksplozivi dhe minat e telekomanduara.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco