Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

Raporti i SHISH: Kriminelët shqiptarë kanë fituar ‘besim reciprok’ në vendet e origjinës të drogës

Raporti i SHISH: Kriminelët shqiptarë kanë fituar ‘besim reciprok’ në vendet e origjinës të drogës

20:51, 24/06/2022
A+ Aa A-

Shërbimi Informativ Shtetëror ka zbardhur raportin vjetor të punës për vitin 2021, ku theksohet se veprimtaria e grupeve kriminale në fushën e lëndëve narkotike është rritur ndjeshëm si brenda dhe jashtë vendit.

Në dokumentin e bërë publik nga SHISH, citohet se anëtarët e organizatave kriminale shqiptare tashmë janë pozicionuar në vendet e origjinës ku prodhohen lëndët narkotike, duke ndikuar në zgjerimin e rrjeteve kriminale.

Raporti i SHISH

Krimi i organizuar

Kundërvënia ndaj aktivitetit të grupeve kriminale në përgjithësi, dhe atyre të përfshira në trafikun e lëndëve narkotike në veçanti, është rritur ndjeshëm si brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë, pavarësisht rezultateve domethënëse, kundërvënia ndaj trafikimit të lëndëve narkotike mbetet sfidë e rëndësishme, për shkak të evoluimit të mënyrave të operimit të tyre pas goditjeve. Faktorë nxitës dhe tërheqës të aktivitetit kriminal në vend dhe rajon mbeten: anëtarët e tyre të pozicionuar tashmë në vendet e origjinës ku prodhohen lëndët narkotike; lidhjet me rrjete kriminale ndërkombëtare dhe rajonale; realizimi i kërkesave paraprake apo marrëveshjeve të shtyra në kohë për shkak të kufizimeve nga pandemia; mbulimi i kostove të shkaktuara nga sekuestrimet dhe arrestimet. Grupet kriminale po bëhen përherë e më shumë heterogjene dhe po diversifikojnë fushat e veprimtarisë. Anëtarët e grupeve shqiptare të trafikut të drogës kanë krijuar kontakte të drejtpërdrejta edhe me prodhuesit direkt të drogave, duke fituar “besimin reciprok”. Një tjetër faktor nxitës i këtij aktiviteti vlerësohet gatishmëria në rritje e grupeve të krimit të organizuar në vendet e origjinës së lëndëve narkotike, për t’u angazhuar me grupe kriminale jo-vendase, gjë që ka ndikuar në zgjerimin e kufijve të këtyre rrjeteve, përtej lidhjeve të mëparshme etnike, familjare apo të karteleve. Kultivimi i bimëve narkotike i llojit kanabis sativa ka vijuar me zhvendosje të zonave dhe evoluim të mënyrave të ndërthurura në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Kjo veprimtari e paligjshme favorizohet më së shumti nga kërkesat në rritje për kanabis nga grupe kriminale, përdorimi i tij për shkëmbim me droga të forta si heroinë dhe për mbulim të goditjeve financiare.

Gjendja e sigurisë në rajon

Shqipëria ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë çdo përpjekje ndërkombëtare në favor të paqes dhe sigurisë rajonale e globale. Për më tepër, vendi ynë ndjek një politikë konstruktive rajonale, të mbështetur në parimet e bashkëpunimit, drejt proceseve integruese euroatlantike, fqinjësisë së mirë dhe respektimit të të drejtave të pakicave.

Gjithsesi, qenia e Shqipërisë pjesë e Aleancës së NATO, pozicionimi i qartë pro-perëndimor, roli aktiv që luan në rajon e më gjerë e kanë shndërruar në një objektiv të politikës së jashtme të aktorëve të tretë, të cilët synojnë destabilizimin e sigurisë rajonale, nëpërmjet cenimit të kohezionit social dhe etnik, instrumentalizimit të faktorëve nacionalistë në rajon, përdorimit të propagandës dhe dezinformacionit, rritjes së influencës malinje etj.

Mjedisi i sigurisë në Ballkanin Perëndimor vijon të karakterizohet nga zhvillime të brendshme politike të brishta, që tregojnë se rajoni mbetet i ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe sfidave, që vijnë si për shkak të faktorëve të brendshëm (problemet social-ekonomike, tensionet ndëretnike e ndërfetare, korrupsioni, krimi i organizuar), ashtu dhe të ndikimit të aktorëve të jashtëm, të interesuar për ta mbajtur të pandryshuar ose për të përshkallëzuar gjendjen e sigurisë dhe politike në rajon.

Inteligjenca e huaj në rajon

Si vend anëtar i NATO-s, kontribuese për paqen e sigurinë globale, por edhe aspirante për t’u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane, Shqipëria vijon të mbetet në fokus të disa shërbimeve të huaja të inteligjencës.

Në qendër të aktivitetit të tyre për grumbullimin e informacionit vijojnë të mbeten zhvillimet e brendshme në fushën politike dhe të sigurisë, pozicionimi properëndimor i vendit tonë në raport me politikat në marrëdhëniet ndërkombëtare, marrëdhëniet me vendet e rajonit dhe aleatët strategjikë, stërvitjet ushtarake në kuadër të Aleancës dhe projektet në fushën e mbrojtjes.

Në vendet e tjera të rajonit, shërbimet jomiqësore të inteligjencës e kanë fokusuar aktivitetin në amplifikim të problematikave ndëretnike e ndërfetare, nxitjen dhe mbështetjen e faktorëve destabilizues të brendshëm, në ruajtjen e status-kuosë në raport me proceset integruese dhe nxjerrjen e përfitimeve nga roli i saj në raport me Perëndimin.

Aktivitetet hibride të aktorëve joperëndimorë kanë njohur rritje në rajon, por edhe në vendin tonë, edhe pse jo me të njëjtat përmasa si në vendet e rajonit. Këto lloj aktivitetesh po bëhen më evidente ndërkohë që vendet po përparojnë në proceset demokratizuese dhe integruese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco