‘Nuk janë të miat’/ Si u shkua tek snajperët që u kapen në Tiranë, dëshmia e të arrestuarit…

‘Nuk janë të miat’/ Si u shkua tek snajperët që u kapen në Tiranë, dëshmia e të arrestuarit…

13:06, 24/06/2022
A+ Aa A-

I riu nga Vlora, i vënë në pranga për një arsenal armësh, kalibër i lartë, ka mohuar të ketë lidhje me to.

Ai ka dalë para gjykatës ditën e djeshme duke qëndruar gjatë gjithë kohës në pozita mohuese në lidhje me objektin ku u gjetën armët në Tiranë, duke treguar se garazhin e kishte për një mikun e tij dhe nuk ishte i veti.

Prokurori i çështjes i ka thënë Gjykatës së në fakt objekti ku ishin fshehur armët, në afërsi të Liqenit të Thatë, u gjet në një aparat celular të një personi që u arrestua një javë më parë po në Tiranë. Policia e Tiranës, bashkë me armët, në operacionin e një jave më parë bllokoi edhe katër aparate celularësh të dy personave që u arrestuan e, për pasojë, janë ekspertuar dhe është identifikuar ambienti në afërsi të Liqenit të Thatë.

Operacioni i një javë më parë është në vijim të disa operacioneve të tjera që lidhen me zbulimin e bazave të armatimeve në Tiranë, zbulime që nisen menjëherë pas marrjes së dëshmisë së një vrasësi me pagesë të penduar, i cili hodhi dritë jo vetëm mbi ngjarje e akte të rënda kriminale, por madje zbuloi edhe depo armësh që gjendeshin në mes të Tiranës dhe strehoheshin në magazina të njohura nga Policia dhe të gjitha shërbimet në vend.

Seanca

Kështu Eno Papa (Beqiri), 27 vjeç, “i zoti” i armëve, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, pasi dy ditë më parë në garazhin e një pallati që kishte marrë me qira, iu gjet një arsenal armësh. Ai pretendon se nuk ka dijeni mbi armët e gjetura në garazh, pasi e kishte marrë me qira për mikun e tij. Nga ana tjetër, prokuroria pretendon se Papa është pronar i garazhit dhe ka lidhje me armët.

Burime bëjnë me dije se prokurorët kanë gjetur në celularin e Dorian Kalos, arrestuar disa ditë më parë për një tjetër depo armësh, në zonën e Mëzezit, një foto të garazhit ku mbaheshin armët, duke ngritur dyshimet se të dy personat kanë lidhje me njëri-tjetrin.

Operacioni

“Depoja” e armëve u gjet në rrugën “Peti” në kryeqytet dhe zbulimi i saj u bë pas informacioneve të marra në rrugë operative. Polica bëri me dije se nga operacioni u sekuestruan 2 snajperë, 4 armë zjarri kallashnikov, 2 armë zjarri automatike, 4 armë zjarri pistoleta me silenciator, 85 pako me fishekë të kalibrave të ndryshëm, një sasi e konsiderueshme krehra armësh, pjesë të ndryshme armësh, shënjestra optike për armët e precizonit (snajper), tri kallëpe tritoli, sasi lënde e dyshuar eksplozive, 2 palë portotarga elektrike për fshehjen e targave, një automjet, 3 aparate celulare, 2 laptopë, 5 paruke dhe një pasaportë e dyshuar e falsifikuar. Ky është arsenali i dytë i armëve që është gjetur në Tiranë brenda një harku kohor prej më pak se një jave. Operacioni vjen si vazhdimësi e operacioni “Silent” që u bë pak ditë më parë në 16 qershor, ku në pranga ranë Elvis Bakalli, 30 vjeç dhe Dorian Kalo, 45 vjeç.

Ndërkohë që për të dyja raste po vijojnë hetimet për të zbuluar persona të tjerë që mund të kenë lidhje me armët. Këto të fundit janë dërguar në laboratorët e kriminalistikës për të bërë të mundur ekspertimin nëse janë të përdorura në ndonjë ngjarje që ka mbetur e pazbardhur.

I penduari që zbuloi depot e armëve

Emri i Dorian Kalos, personi që u kap me armë në Mëzez, ka dalë nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Enver Jamakut. Ai i tha prokurorisë se ky person ka bazë për modifikimin e armëve të llojeve të ndryshme, duke i riparuar, ndërruar pjesët dhe më pas ai i shiste te grupet kriminale të interesuara.

Në dëshminë e tij, ai specifikonte se armët që prodhohen dhe modifikohen nga ky person e kishin tregun e gatshëm, pasi ai bashkë me grupin e punonjësve kanë vite që kryejnë atë punë. Rrëfimi i Enver Jamakut çoi disa persona në pranga dhe zbuloi 18 baza armatimi në Tiranë. Dëshmia e tij më e fortë ishte ajo për ekzekutimin e Domart Konjarit, për të cilin është shprehur se i kanë dhënë shuma të konsiderueshme parash Flor Abazi, Blendi dhe Paris Deda.

Në tetor të vitit 2019, gjithçka ishte organizuar deri në perfeksion, duke u vendosur dy mina me telekomandë në makinë, por pati një ngatërresë. Dëshmia e dhënë nga Jamaku është një nga më të saktat që ka mundur të “rrëmbejë” prokuroria duke zbardhur shumë krime të pazbardhura, ndërsa ai çoi në pranga edhe njërin nga emrat më të lakuar në botën e krimit në vendin tonë, Gjergj Cukali, duke nxjerrë emrin e tij si porositës për vrasjen e Gjon Menës me minë të telekomanduar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco