E dhunoi, e mbyti dhe e fshehu në mal: Historia rrëqethëse e vrasjes së Donjeta Pajazitit

E dhunoi, e mbyti dhe e fshehu në mal: Historia rrëqethëse e vrasjes së Donjeta Pajazitit

11:34, 23/06/2022
A+ Aa A-

Ferizaj, Kosovë- Me burgim të përjetshëm është shpallur fajtor Naser Pajaziti, për vrasjen e Donjeta Pajazitit.  Vendimi është marrë sot, pas rigjykimit që u bë ndaj tij. Për këtë vendim, u dashtën shtatë vite që të hulumtohet nga organet e drejtësisë dhe të grumbullohen fakte e prova, në mënyrë që të arrihet deri të vendimi final.

Deri më tani, është folur dhe është dyshuar edhe për dhunim ndaj Donjetës nga ana e N.P-së.

Por, ç'kishte në thelb aktakuza ndaj Naser Pajazitaj, për vrasjen e Donjetës?

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha- Haxhosaj, Naser Pajazitaj akuzohej se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë”, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Gjykimi i Naser Pajazitajt pas ndodhjes së këtij rasti

Fillimisht, Naser Pajazitaj u gjykua në Gjykatën e Apelit në Pejë, shkruan Syri Kosova.

Mirëpo, më pas, i akuzuari Naser Pajazitaj u shpall i pafajshëm për vrasje në mungesë të provave,  ndërsa u dënua  me dy vite e katër muaj burgim për armëmbajtje pa leje.
Atëkohë, Gjykata gjatë leximit të aktgjykimit, kishte theksuar se Prokuroria nuk kishte arritur të dëshmonte se i akuzuari e kishte marrë në veturën e tij Donjetën dhe kishte vlerësuar se është dëshmuar që në kohën kur pretendohej se është kryer vepra Naseri kishte qenë në një fshat tjetër, në një të pame.

Po ashtu, Gjykata kishte vlerësuar se në pamjet e kamerave të siguruara Naser Pajazitaj kishte qenë i vetëm në veturë dhe se fija e flokut e cila ishte gjetur në veturën e tij nga analiza e FBI-së kishte rezultuar se nuk i takonte Donjeta Pajazitajt.

E pakënaqur me vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, prokurorja Valbona Haxhosaj kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimet se nuk ishte vlerësuar drejt gjendja faktike.

Apeli me vendimin e dhënë kishte propozuar që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet dëshmitari që ishte paraqitur anonim. Bazuar në këto konstatime Gjykata e Apelit çështjen e kishte kthyer në rigjykim.

Rigjykimi i Naser Pajazitaj filloi më 17 dhjetor 2018.Gjatë rigjykimit i cili filloi me 17 dhjetor 2018, u mbajtën disa seanca gjyqësore me datën 25 mars 2019, ku Gjykata e kishte shpallur të përfunduar gjykimin.Trupi gjykues në përbërje të gjyqtareve Kreshnik Radoniqi, Sali Berisha dhe Lumturije Muhaxheri vendosën që Naser Pajazitaj ta dënojnë me burgim të përjetshëm.

Rasti tij shkoi përsëri në rigjykim, deri në seancën e sotme, kur u shpall fajtor, me dënim të përjetshëm.

Gjatë gjithë kësaj periudhe shtatë vjeçare sa zgjati procesi gjykues, familja e Donjeta Pajazitit ishte përballur me probleme të tjera. Vitin e kaluar vëllai i Donjeta Pajazitaj, Shkëlqimi, kishte thënë se për shkak të rregullave kanunore të pleqërisë së fshatit po detyrohen të largohen nga shtëpia e tyre, shkruan Syri Kosova. Mirëpo, kjo në fakt, sipas organeve të drejtësisë, nuk është vrasja e parë e Pajazitajt.

N.P është i njohur për organet e drejtësisë, pasi ai ishte dënuar me 20 vite burgim gjatë vitit 1993 nën akuzat për vrasjen nga hakmarrja dhe vendimi i tillë ishte konfirmuar edhe nga Gjykata Supreme.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco