Kush është Gentian Sharra/ Profili i milionerit grabitës. Herë spiunonte dhe herë vishej si antidroga

Kush është Gentian Sharra/ Profili i milionerit grabitës. Herë spiunonte dhe herë vishej si antidroga

11:42, 23/06/2022
A+ Aa A-

Ai shfaqet për herë të parë në vitin 2010 si pjesë e grupit që kreu një seri grabitjesh, ku ishte organizator i rrëmbimit të florinjve, pothuajse 8.3 kilogramëve ar dhe 30 ora. Për Gentian Sharrën që ju sekuestruan pasuritë flet Nuredin Dumani që e implikon në sulme të armatosura ndaj qytetarëve, disave prej të cilëve u hynë në shtëpi e disa i pritën tek shkallët me vetëm një qëllim, t'i grabisnin. Viktimat studioheshin në distancë dhe në rastet kur nuk gjenin para apo drogë në shtëpi, hajdutët zhvatnin edhe unazat e martesës.

 “Grabitja e parë që kam bërë ka qenë tek një argjendari në Elbasan, në fund të vitit 2010, fillim 2011. Ka qenë 8.3 kg flori si dhe 30 ora ose diçka më shumë. Kam pas njohje me një Ilir Feçi, ky kishte lidhje me disa persona nga Elbasani që ishin të kësaj fushe. Ilirin e kam njohur në 2010 nga një tregtar që shiste perde, unë në atë kohë isha me paterica. Emrat Gentian Sharra dhe Talo Çela i kam njohur fillimisht prej Ilirit. Ilirit në 2010 i kam shitur një pistoletë për të përfituar një shumë prej 300 eurosh nga të cilat do fitoja 80 mijë lekë të vjetra. Ishte pistoletë jugosllave me sa mbaj mend, Zastava. Organizator ka qenë Gentian Sharra dhe neve na mori Talo Çela. Ne pritem (unë dhe Ilir Feçi) këtë zotëri që kishte florinjtë. E kam goditur unë i pari me levë hekuri, mbas qafe ose në kurriz, të njëjtën gjë bëri dhe Iliri ndërsa mua me ra leva nga dora. Kam marrë një nga çantat. U vonuam pak dhe me pas u larguam bashkë me Sharrën. Ngjarja ka ndodhur në parkim rreth orës 7:30–8:00. Ishte një parkim i hapur. Informacionin e kishte Gent Sharra. Kanë qenë 2 çanta, një e kam marrë unë, tjetrën e ka marr Ilir Feçi. Talo Çela po na priste tek makina me Gent Sharrën shoqërues, këto ishin për mbrojtje. Kishim një makinë benz blu e errët, nuk jam i sigurt për ngjyrën, tipi 200-250. Shkuam më pas tek shtëpia e Talo Çelës e cila ndodhet në Bradashesh, një shtëpi private 3-katëshe. Në shtëpi kemi shkuar vetëm unë dhe Talo Çela. Iliri po na priste në rrugë me një makinë Rover me targa italiane. Çantat i lamë në katin e 3-të të Talo Çelës dhe më pas u larguam. Është shitur më pas në Korçë nga Iliri me gruan e vet e cila quhet Fije, në shumën 12 milion të vjetra një kg flori. Lekët mi dha Iliri mbas 10 ditësh, u takuam tek lagja”.

Si informator i saktë, Sharra nën akuzë për grabitje me dhunë dhe grup kriminal, vazhdoi të bëjë jetë të qetë në fshatin e tij duke ndërtuar një vilë luksoze e cila ju vendos nën sekuestro nga hetimi pasuror që ka nisur ndaj gjithë të tjerëve të përmendur dhe të arrestuar gjatë operacionit ‘Golden Bullet’, si pjesëmarrës në vjedhjen e Lirak  Bajraktarit, Shyqyri Shalës, Hamit Haxhisë, Xhemal Licit.

Për kambistin Shyqyri Shala i cili u përlesh me grabitësit dhe njëri prej tyre i vendosi armën në kokë, Nuredin Dumani tregon se i rrëmbyen 4.5 milionë lekë. Policia në atë kohë gjatë sulmit ndaj kambistit gjeti një bisht cigareje, ku nga pështyma u përftua profili gjenetik i një mashkulli që mbeti i paidentifikuar.

“Grabitja e 2 ka qenë po me të njëjtët persona në Kavajë në vitin 2011. Ishte një kambist në dalje të Kavajës. Ishte i moshës 60 vjeç, e njihte Ilir Feçe, ky na orientonte. Grabitjen e kam bërë unë me Talo Çelën. Ky person zbriste diku rreth orës 06:00–06:30, e kisha ruajtur së bashku me Ilirin. E kemi ruajtur diku 2 ose 3 ditë bashkë me Ilirin. Diku afër në autostradë Ilir Feçe kishte shtëpinë përballë ‘mobileri Simaku’ në krahun e Kavajës. Ishte baza ku ne takoheshim dhe linim makinat. Në këtë banesë linim dhe armët dhe makinat e vjedhura. Shtëpinë e kishte halla e Ilir Feçit e cila jetonte në Itali. Kemi dalë atë ditë me audi 80 benzinë ngjyrë gri i vjedhur, këtë makinë e kishte vjedhur Talo Çela, ai na e solli. Shofer ishte Ilir Feçi, në vend të parë ishte Talo Çela dhe mbrapa isha unë. Ishim me qafore dhe kapele sepse nuk kishte kamera. Kemi zbritur unë me Talon të parët pasi jemi afruar tek pallati 5 katësh (pallatet e Enverit). Talo është futur sa zbret shkallën, unë isha përballë, Talo e goditi me levë në fytyrë, i ra 2 ose 3 herë dhe u rrëzua në tokë, unë kisha detyrë vetëm të merrja çantën, u mundova ta merrja çantën por se lëshonte, këto më kishin dhënë një thikë hidrauliku dhe u mundova ta prisja rripin e çantës dhe e preva dhe të dora. Në këtë moment ai e lëshon çantën dhe largohemi me Talon drejt audit. Futemi tek një rrugë tek fshatrat e Kavajës që lidhen me Tiranën. E lamë audin para një shtëpie jashtë Kavaje dhe na priste BMË e Ilir Feçit që e drejtonte Gent Sharra i cili kishte shkuar më parë aty. Kështu ishte plani. Organizimi ka qenë gjithmonë 4 veta: unë, Gent Sharra, Talo Çela dhe Ilir Feçi. Kemi shkuar tek xhaja i Ilir Feçit në një fshat në Kavajë, ishte rrugë e prishur, nuk kisha qenë ndonjëherë. Kemi ndenjur tek shtëpia e xhajës së Ilirit deri në darkë. Më pas ikim në qytet. Ikim më pas tek shtëpia e hallës së Ilirit. Ishin 20.000 Euro, unë kam marrë 4.000 Euro, ne prisnim diku tek 80.000–100.000 Euro”.

Në shkurt 2013 Sharra, që Dumani i thërret shkurt Gent, përfshihet në grabitjen e Hamit Haxhisë, në shtëpinë e të cilit hyjnë grabitësit e maskuar dhe i shpërthejnë derën. Aty gjendej bashkëshortja e tij. Grabitësit u prezantuan si policia antidrogë dhe kërkonin drogë. Dolën prej andej me pak para, kurse njëri prej tyre i rrëmbeu gruas së shtëpisë edhe unazën.

“Grabitja e radhës ka qenë në Shijak në vitin 2013, kemi qenë 5 veta, unë, Talo Çela, Gent Sharra, Gon Qafa. Informacionin për grabitjen na e dha Dorjan Shkoza pasi familja e tij jetonte një kat më poshtë personit që do bënim grabitjen. Dori na thoshte që personi që jetonte mbi banesën e tij merrej me pulari. Informacionin e kishte motra e Dorit, e cila kishte hyrje dalje me të zonjën e shtëpisë, e cila i kishte thënë se në dollapë kishte mbi 500.000 Euro. Tek kjo shtëpia ishin dy çuna të vegjël 10 vjeç, zonja e shtëpisë dhe vjehrra. Në këtë ngjarje kemi përdorur një mjet ML ngjyrë blu e errët, e rregullt me targa të vjedhura. Ky mjet ishte në emrin tim. Kemi shkuar në orën 4 të mëngjesit sepse në atë orë dilte i zoti i shtëpisë. Dera ishte e blinduar dhe Talo e hapi atë për 3-5 minuta pasi kishte me vete veglat që hapte dyert. Pasi u hap dera, u futëm brenda të gjithë përveç Gon Qafas i cili ngeli jashtë me automatik në dorë. Sapo kemi hyrë brenda kemi parë plakën që po dilte nga tualeti. Plakën e mbylli Talo në tualet dhe filloi të shante. Ata vazhduan kontrollin dhe unë kam ndenjur aty që të mos bërtiste gruaja dhe fëmijët. Më erdhi keq për fëmijët e saj dhe i ledhatova nga faqet. Kur kjo gruaja doli në televizor ka thënë se njëri prej autorëve u soll mirë. Në një kuti kursimesh janë gjetur rreth 3000 Euro dhe jemi larguar. Më vonë mora vesh se njeri prej çunave që mori pjesë në grabitje kishte marrë dhe unazat e kësaj zonjës...”

Xhemal Lici ishte viktima e radhës, ai u sulmua dhe ju rrëmbyen gati 12 milionë lekë. Qytetari mbeti i plagosur gjatë përleshjes por ai u dërgua për kurim dhe ja doli mbanë të shpëtojë.

Dumani thotë në fashikullin që disponon Gazetasi.al: "Në vitin 2013 me sa mbaj mend, më takon Talo Çela në një dyqan që unë kisha pas daljes nga burgu. Në këtë dyqan tregtoja këpucë të përdorura. Talo ishte së bashku me Gent Sharrën me një mjet tip Regina. Më tha se kishte një punë për të bërë por na duhen njerëz nga këtej duke nënkuptuar Durrësin. Desha të dija hollësi se për çfarë shume bëhej fjalë dhe ai më tha se bëhej fjalë për 200.000 Euro. Aktiviteti i personit ishte doganier në Korçë por se mbaj mend mirë ose ky ose vëllai i tij. Më tha nëse isha dakord që duhet të shkoja vetëm ditën e ngjarjes por me vete duhet të kisha dhe një person nga ana ime. E pranova punën dhe pas një farë kohe Talo më shkruan ‘hajde takohemi’. Kam shkuar dhe kam marrë Dorjan Shkozën sepse Dori në atë kohë ishte në konflikt me Gon Qafën për arsye borxhesh. Për ta nxjerrë nga situata e kam marrë Dorin me vete. Kemi shkuar me furgon të linjës Durrës–Elbasan dhe atë natë kemi fjetur tek shtëpia e Talos. Në shtëpinë e Talos erdhi Gent Sharra. Ishim Talo, unë, Dorjan Shkoza dhe shtetasi Ardjan Çollaku. Ardjani do të na ndihmonte pas grabitjes. Talo e kishte bërë planin me Gent Sharrën. Ditën tjetër në mëngjes jemi çuar dhe kemi shkuar tek vendi me një Opel të vjedhur, ngjyrë të bardhë. Në automjetin tip Opel ishim unë, Talo Çela, Dorjan Shkoza dhe Ardjani i cili ishte shofer. Vendi ku do të shkonim ishte lagjja Kala, Elbasan. Kemi pritur disa minuta aty që të dilte personi. Shohim që personi del nga një shtëpi dykatëshe para së cilës ishte parkuar në rrugë një automjet veturë Benz me portobagazh. Ky personi ishte rreth 50 vjeç, zeshkan. Ai hapi derën e mjetit dhe futi një çantë në sediljen e pasme së bashku me një armë gjahu me sa mbaj mend. Aty kemi zbritur unë, Talo dhe Dori. Dori me Talon u konfrontuan me personin duke e qëlluar me armë dy herë në gjoks  dhe një herë në këmbë. Në gjoks e gjuajti Talo ndërsa në këmbë e gjuajti Dori. Në këtë moment unë marr çantën dhe shkoj tek mjeti Opel.

Dua të shtoj se jam afruar dhe unë në momentin e konfrontimit pasi kam lenë çantën sepse personi ishte i fuqishëm dhe e kam goditur me shkelm në bark. Të gjithë jemi larguar tek magazina e Ardjanit ku kemi lënë mjetin Opel. Kjo magazinë ndodhej në Fushë Mbret. Nga aty, mua me Dorin më ka marrë me mjetin e tij nipi i Ardjanit me një benz të bardhë dhe na çoi në rrugën Elbasan–Peqin ku kemi ndaluar një furgon dhe jemi larguar për Durrës. Në këtë ngjarje kemi pasur të veshur rroba sportive dhe kapuç ku duken vetëm sytë dhe goja. Pas rreth 1 jave, ka ardhur Talo Çela së bashku me vëllain e vet Bujarin dhe kanë shkuar tek puna e Dorit. Dori vjen dhe më thërret mua dhe shkojmë së bashku me Dorin në Shënvlash tek vaskat e peshkut. Talo lekët i kishte tek makina e vëllait dhe na ndau 19 ose 20.000 Euro.... Të njëjtën shumë sa unë kishin marrë edhe Gent Sharra, Talo, Ardjan Çollaku dhe Dori”.

“Në vitin 2017 grupi hyn i armatosur për të vjedhur shtëpinë e Hamdi Sharkës në fshatin Polizhan. Gjejnë aty pak para dhe largohen nga vendi duke rrëmbyer edhe makinën e të zotit të shtëpisë dhe natyrisht aty nuk mungonte sërish Sharra”, thonë zyrtarët e policisë për Gazetasi.al.

Dumani thotë në fashikullin që disponon Gazetasi.al: "Në vitin 2017 kam dalë nga burgu dhe tek dera e burgut të Rrogozhinës më pret Talo Çela me një benz E class ngjyrë vishnjë e vitit 2012. Së bashku me të ishte dhe shtetasi Dorian Shkoza dhe më kanë çuar në shtëpi. Pas disa ditësh më tha Talo për një grabitje ku do të merrnin pjesë shumë persona. Ishte një shtëpi në një fshat të Beratit 2-katëshe nga Poshja e Beratit ose Kosova se mbaj mend fiks. Më ka lajmëruar Talo në telefon me sms duke më thënë “hajde duku”. Kam shkuar tek vendi i quajtur ‘pilafi’ duke i marrë një kushëririt tim një Porche Cayen dhe aty kam takuar Talon, Eljo Bitrin, Kel Kamanin dhe Gent Sharrën. Kemi qëndruar 1,5-2 orë dhe më pas kemi shkuar tek kafja e Gent Sharrës duke pritur që të errësohej. Në afërsi të servisit të Gent Sharrës, Talo kishte një garazh pronari i së cilës do të vinte me ne të merrte pjesë në vjedhje. Këtë person nuk e kisha parë asnjëherë dhe nuk ia di emrin. Shkuam e morëm tek garazhdi këtë person dhe në mjetin që do të përdornim në vjedhje kemi hypur unë, Talo Çela dhe Eljo Bitri. Ky ishte një benz C class i vjedhur. Në afërsi të Belshit jemi takuar me Kel Kamanin që ishte së bashku me tre persona të tjerë të cilët nuk i njihja. Keli ishte me një mjet C class edhe ai të vjedhur. Jemi nisur të dy makinat në drejtim të fshatit ku do të kryenim grabitjen. Kemi parë një herë zonën nga larg ku ndodhej shtëpia dhe kemi bërë rrethimin e shtëpisë. Plani ishte që unë me Kelin do të thyenim derën të hynim brenda sepse informacioni ishte se në shtëpi kishte shumë njerëz. Kemi vënë re se një prej personave të shtëpisë ndez dritën dhe shkon në banjë. E pamë këtë moment si të përshtatshëm që të hynim në shtëpi. Unë kisha në dorë kallashnikov dhe Keli kishte po kallashnikov. U mbajtëm me njëri-tjetrin dhe të dy njëkohësisht i ramë derës me shkelm. Dera u hap dhe ajo ra në tokë. Neutralizuam burrin që ishte në tualet dhe hynë çunat e tjerë. Unë me Kelin mbajtëm burrin dhe gruan dhe të tjerët kontrollonin për lekët. Njëkohësisht pyesja burrin se ku i kishte lekët. Ai thoshte që nuk kam. Pasi kemi qëndruar rreth 20 min duke kontrolluar, s’gjetëm gjë lekë, vetëm një pistoletë TT. E morëm pistoletën, telefonat ua thyem për të mos patur kontakt dhe marrim gjithashtu dhe benzin e të zotit të shtëpisë dhe largohemi. Benzi ishte E class ngjyrë gri, prodhim i vitit 2004-2005. Për tu larguar marrim rrugën Berat-Lushnjë-Fier. Në Fier pa shkuar tek rotondo e fundit hedhim benzin në një kanal. Tentuam që ta hedhim por ai nuk ra plotësisht. Kthehemi me dy mjetet dhe marrim rrugën për në Elbasan, për nga Rrogozhina. Pistoletën e mbajtën nuk e di se kush dhe unë pas disa kohësh kam shkuar në Francë, ku më pas rashë në burg, në Bordo”, mbyll dëshminë e tij për njërin nga bashkëpunëtorët e tij Dumani. /Gazeta ‘Si’/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco