Arbër Çekaj kërkon të dalë nga izolimi ekstrem, ‘41 bis’

Arbër Çekaj kërkon të dalë nga izolimi ekstrem, ‘41 bis’

15:19, 22/05/2022
A+ Aa A-

Arbër Çekaj, i dënuari me 14 vite burg nga Apeli i Posaçëm për trafikimin e 613 kg kokainë kolumbiane në Shqipëri, i kërkon Gjykatës së Lartë ta lirojë nga regjimi i ashpër i burgjeve 41 bis.

Ish-administratori i shoqërisë së bananeve, në kontenierin e së cilës u fsheh droga, qëndron në qelitë e veçanta prej nëntorit të vitit të kaluar. Në korrik të të njëjtit vit, teksa fajësia e tij kishte marrë formë të prerë, ai tentoi të arratisej nga burgu 313 në kryeqytet. Përpjekja e arratisë ishte argumenti kryesor kundër lirimit të tij nga regjimi 41 bis, betejë që tashmë Çekaj e ka zhvendosur në Gjykatën e Lartë.

Çështja në fjalë është regjistruar pak ditë më parë dhe pret të shqyrtohet nga një Kolegj me relator gjyqtarin Sokol Binaj.

Javën e kaluar, me kërkesë të SPAK dhe miratim të ministrit të Drejtësisë, në regjimin e egër kaluan edhe Viktor Imeri, i dyshuar i SPAK si i përfshirë në vrasjet e Klodian Saliut e Vajdin Lamajt, ndodhur në vitin 2005, dhe të vëllezërve Klement e Eldi Çala, të akuzuar për grabitjen e milionave euro në pistën e Rinasit, në prill të vitit 2019. Ministria e Drejtësisë tha se vendimi për izolimin e tyre erdhi pas informacioneve të shkëmbyera mes Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.

Më herët, në regjimin e egër janë futur Emiliano Shullazi, Endri Qyqja, Arbion Aliko dhe Genci Balla. /A2

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco