Lajmi i fundit

LIVE/ Afera 5D/ Policia nis arrestimet e protestuesve, ndërkombëtarët amnistojnë Veliajn - Flet Petrit Vasili

‘Zoti jam unë’/ Shqiptari i tmerrshëm që donte të bëhej padron i Romës

‘Zoti jam unë’/ Shqiptari i tmerrshëm që donte të bëhej padron i Romës

12:08, 20/01/2022
A+ Aa A-

Shqiptarët donin të merrnin Romën për ta mbushur me drogë. Para e pas vdekjes së Fabrizio Piscitellit. Por skeptrin e donte vetëm njëri, Elvis Demçe, i cili me Diabolikun ka pasur afërsi.

Romën e donte të gjithën për vete, pa ndarë asgjë me askënd. I dhunshëm, i paskrupullt, i gatshëm për të vrarë, sepse ‘Zoti jam unë’.

Për këtë arsye kishte tentuar të eliminonte edhe bashkatdhetarin e rivalin e tij më 2019, kapon e një grupi tjetër, Ermal Arapaj. Tani janë të dy në burg, bashkë me 25 të tjerë.

Drogë, zhvatje, e për Demçen e grupin e tij edhe akuza për akte mafioze. Një sukses për karabinierët e bërthamës investigative të Romës dhe të kompanisë Frascati. Midis Prenestinos, Pontinos, Castelli Romani e Velletrit, shqiptarët ishin padronë të tregtisë së drogës.

Ndër vite Demçe e Arapaj ishin urryer aq sa kishin programuar vrasjen e njëri-tjetrit. Ndërkohë që Demçe ka qenë i arrestuar për një vrasje, për të cilën më pas iu hoqën akuzat.

Arapaj i kishte marrë territorin. Një tentativë vrasjeje kishte dalë pa sukses dhe Arapaj e kishte plagosur vrasësin. Plani për të eliminuar Demçen u prish nga arrestimet. Për të ishte gati një Steyer kalibër 40 dhe 12 fishekë. ‘Ai do pushtet, po këtu jam unë. Unë nuk iki, ik ti po deshe’, thoshte. ‘Me këtë është e sigurt që vdes’, i kishte sugjeruar gruaja duke i treguar pistoletën Steyer.

Në thelbin e urrejtjes qëndronin pazaret e drogës me porosi të bëra edhe në Kolumbi. Zhvatjet me zjarrvënie dhe pengmarrjet për ata që nuk paguanin borxhet. Demçe për dy vëllezër ‘pusher’ në San Basilio kishte vendosur një ndëshkim të tmerrshëm. I detyroheshin 100 mijë euro. Ai dha urdhrin: ‘Merrini vëllanë 15-vjeçar dhe shkulini të dy krahët’.

Fraza të denja për mafiozët më të pamëshirshëm. Demçe mbante kontakte me kamorristët e klanit Mazzarella, për të cilët ishte përpjekur të mblidhte disa borxhe. Por fiksimi i tij ishte të eliminonte Arapajn. Më 2020 iu thoshte të tijve: ‘Këtu ka vetëm një kishë. Këtu edhe kalldrëmet janë tanët’. Pastaj: ‘Duhet t’i thuash që në fillim do ta ndaj copash e pastaj do t’i hedh copat nga ballkoni. Kur flas unë, ka marrë fund, është dënim me vdekje. Këtu është ISIS’. Gjithmonë për Arapajn: ‘Duhet t’ia shkulni të gjithë dhëmbët’.

Demçe frekuentonte lokalet e Ponte Milvio, mbretëria e Diabolikut, dhe Coco Loco, ku punonte Adrian Pasku, i vrarë në dhjetor. Nuk ka përgjime që të vërtetojnë kontakte mes tyre, por nuk përjashtohen.

Për hetuesit është edhe një grua, e arrestuar, e rëndësishme për grupin e Arapajt: kolumbiania Maribel Tellez Fajardo, e veja e Luigi Pietrosantit, trafikant kokaine në Castelli Romani. Ajo merrej me dërgesat e kokainës në Itali nga Kolumbia, Spanja e Greqia. Shkoi keq dhe Arapaj po mendonte hakmarrjen. ‘Do ta marr peng e në dreq të vejë. Maribel më doli garant, o të më japë paratë ose...’.

Përgatiti: SYRI. net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco