Prokurorët me Covid-19, shtyhet sërish seanca ndaj Saimir Tahirit

Prokurorët me Covid-19, shtyhet sërish seanca ndaj Saimir Tahirit

11:32, 17/01/2022
A+ Aa A-

Seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, është shtyrë sërish, për të katërtën herë.

Arsyeja është se kësaj here, dy prokurorë ishin me Covid-19.

Vetë ish-ministri Tahiri ka qenë i pranishëm në GJKKO për të ndjekur nga afër seancën, por kjo e fundit është shtyrë për në datën 31 janar, në orën 11:00. 

Ishte pikërisht Gjykata e Lartë që riktheu për rishqyrtim në GJKKO dosjen e ish-ministrit Tahiri, pasi konstatoi parregullsi në proces.

Gjykata e Posaçme vendosi rinisjen e procesit që më 20 dhjetor 2021, por gjyqi u shty dy herë, për shkak të dorëheqjes së gjyqtarëve të çështjes. Kështu që u vendos që çështja në fjalë të gjykohet nga gjykatës të marrë hua nga Apelet e tjera. Në vend të Daniela Shirkës, e treta që u dorëhoq nga çështja, është deleguar gjyqtari Florian Kalaja, nga Apeli i Durrësit. Më herët duhet theksuar se janë larguar me dorëheqje nga kjo çështje gjyqtarët Miliana Muça dhe Ilirjana Olldashi.

Kujtojmë se ish-ministri Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit.

Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.

Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco