'Erdhëm për të marrë ‘borxhin/ Dëshmia e vajzës së biznesmenit. Grupi komandohej nëpërmjet celularit

'Erdhëm për të marrë ‘borxhin/ Dëshmia e vajzës së biznesmenit. Grupi komandohej nëpërmjet celularit

16:31, 27/10/2021
A+ Aa A-

Policia dhe Prokuroria e Krujës kërkojnë që biznesmeni i grabitur në Nikël Nazmi Çangu të bashkëpunojë me autoritetet, që të zbardhet ngjarja e rëndë e ndodhur disa ditë më parë.

Vetë biznesmeni ka thënë se nuk njeh autorët, por se vajza e tij Xhelona ka deklaruar se grabitësit mund të ishin nga Laçi dhe ata dukeshin se kërkonin borxh dhe se e njihnin babanë e saj.

“Nga komunikimi dukej sikur ishte nga zona e Laçit. Njëri prej tyre mori vëllanë dhe e çoi në dhomën tjetër dhe e pyeste për çelësin e kasafortës. Dukej që ata e njihnin mirë familjen time. Ata na thanë: ‘Do marrim borxhin që na ka babai juaj, Nazmiu’”, ka deklaruar Xhelona Çangu.

Vajza e biznesmenit ka thënë se njëri nga grabitësit ishte pa maskë dhe se e ka parë fytyrën e tij.

“Rreth orës 02:00 dëgjova babin të bërtiste dhe rënkonte, por mendova se ishte sëmurë. Hapa derën dhe aty pashë një person të gjatë, të armatosur, që më tha ‘pusho’. Ai u fut në dhomë ku ndodhesha me shoqen time e vëllain e mitur. Na mori telefonat dhe i mbante në dorë.

Ai thirri një tjetër person që ndodhej në katin e dytë. Ai që erdhi ishte i pamaskuar, i veshur me rroba të zeza, trup i shkurtër, i mbushur në fytyrë e me pak bark, me flokë ngjyrë kafe, afërsisht rreth 40 vjeç.

Në këtë moment personi tjetër i maskuar i tha: ‘Vendose kapuçin more budalla’. Nëse e shoh personin që ishte pa maskë, e njoh, madje mund ta kem parë edhe herë tjetër, por nuk mbaj mend se ku”, mësohet të këtë rrëfyer vajza e biznesmenit.

Sipas vajzës së biznesmenit, grabitësit në vilë diregjoheshin nga dikush nëpërmjet telefonit.

“Njëri prej tyre kishte kufje në vesh dhe komunikonte me personat e tjerë”, tha vajza për hetuesit.

Bazuar në dëshminë e Xhelona Çangut, hetuesit besojnë se autorët janë të njohur të biznesmenit dhe krahas grabitjes, kanë futur edhe pistën e mësymjes me dhunë në vilë për t’i marrë “borxhin” Nazmiut.

Hetuesit kanë dërguar në laborator kapelën e gjetur në oborrin e vilës që dyshohet të jetë e autorëve dhe presin përgjigjet e ADN-së. Ngjarja u regjistrua mëngjesin e së dielës në Nikël të Krujës, ku autorët pasi dhunuan biznesmenin, u larguan me sende me vlerë të familjes dhe një shumë të madhe parash, vlera e të cilave sipas biznesmenit është 100 mijë euro.

Policia ka shoqëruar një numër të madh personash të dyshuar apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme deklaroi se nuk ka asnjë të ndaluar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco