Momentet e fundit të turistëve rusë/ Zbardhet dëshmia e recepsionistes

Momentet e fundit të turistëve rusë/ Zbardhet dëshmia e recepsionistes

09:44, 23/10/2021
A+ Aa A-

Ambasada ruse në Tiranë ka konfirmuar dje se trupat e pajetë të 4 turistëve rusë janë nisur drejt vendit të tyre. Sipas tyre, atje do të kryhet edhe një tjetër ekzaminim.

“Në mëngjesin e hershëm të 22 tetorit trupat e pajetë të shtetasve rusë, të cilët humbën jetën në 15 tetor në territorin e Republikës së Shqipërisë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt. Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre. Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë,” thuhet në njoftim.

Edhe mediat ruse vazhdojnë të ndjekin nga afër ngjarjen e rëndë në Qerret të Kavajës, ku humbën jetën 4 turistë rusë. Ria Novosti raporton se në trupat e katër turistëve rusë nuk janë gjetur shenja dhune. Duke cituar burime nga prokuroria, Ria Novosti shkruan se hetuesit po hetojnë të dhënat nga kamerat e sigurisë. Sipas tyre, viktimat ishin në gjendje të mirë fizike para se të futeshin në spa.

Kujtojmë se 4 rusët humbën jetën mbrëmjen e 15 tetorit. Viktimat janë Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova 31 vjeçe. Katër turistët rusë dyshohet se kanë humbur jetën në intervalin kohor mes orës 20.00 dhe 21.45 të datës 15 tetor.

Së paku kështu rezulton nga dëshmia e recepsionistes së hotelit e cila ka pohuar se katër rusët, kanë mbërritur në hotel rreth orës 20.00 dhe kanë shkuar në ambientin e SPA-së të cilin e kishin prenotuar një ditë më parë.

Recepsionistja me iniciale H.K, është shprehur se ditën e ngjarjes ka qenë në punë pasdite dhe pishina e brendshme, që kishin kërkuar shtetasit rusë, është ndezur në ora 16.00. Punonjësja thekson se në ora 20.00 ka ndezur edhe xhakuzin, ndërkohë që turistët kanë kaluar në recepsion duke e njoftuar se do të përdornin SPA-në.

"Rreth 10 minuta më pas, mesa më kujtohet kam shkuar tek ambientet për kontroll dhe u kam thënë nëse u nevojitej diçka. I kam parë që po laheshin në pishinë dhe kur i pyeta nëse u nevojitej ndonjë gjë, më kanë thënë se duam privatësi. Jam ngjitur tek recepsioni ku jam marrë me punët e tjera deri në orën 21.45 kur kam shkuar te turistët rusë bashkë me sanitaren S.D. për t'i njoftuar se për pak ambientet e SPA do mbylleshin."

Recepsionistja thotë se në këtë moment, rreth orës 21.45, bashkë me sanitaren i ka gjetur turistët rusë të pajetë.

"Kam parë turistët që ishin shtrirë njëri në shezlon, tjetri afër shezlonit dhe dy të tjerë në dysheme afër pishinës. Jam afruar pak dhe kam folur anglisht, por nuk mora asnjë përgjigje, ndaj jam trembur dhe i kam thënë sanitares që do të lajmërojë stafin. Kanë ardhur dy klientë dhe stafi i hotelit, dhe pasi kanë parë çfarë kishte ndodhur, kanë lajmëruar ambulancën pasi po mendonim mos u kishte rënë të fikët. Pasi erdhi ambulanca me mjekun, kemi mësuar se turistët rusë kishin vdekur."

Dëshmitarja thekson se turistët rusë kishin prenotuar qëndrim 1-javor në hotel, dhe se ditën e ngjarjes kishin qenë me udhëtim në Maqedoni. Sipas saj, atë ditë ata kanë porositur mëngjesin në 6.30 dhe janë nisur në udhëtim për tu kthyer në hotel në ora 20.00 të mbrëmjes. Para se të hynin në SPA, recepsionistja thotë se ka vënë re se katër turistët ishin si të lodhur, por ka menduar se kjo vinte nga udhëtimi gjatë ditës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco