Vrasja e oficerit të policisë zbuloi të tjera parcela me kanabis

Vrasja e oficerit të policisë zbuloi të tjera parcela me kanabis

09:15, 21/10/2021
A+ Aa A-

Parcela që zbuloi Saimir Hoxha me dy kolegët e tij, pak para se të ekzekutohej në krye të detyrës, më 28 shtator, duket se nuk ishte e vetmja në rrethinat e qarkut të Lezhës.

Kështu rezulton nga një operacioni i SPAK-ut në bashkëpunim me Policinë, ndonëse ende nuk jepen të dhëna zyrtare për rezultatet, pasi duket se ende nuk janë ekzekutuar të gjithë urdhrat e ndalimit. Deri tani flitet për 5 efektivë të arrestuar.

Burime të rezervuara nga Policia thanë se Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhra ndalimi, në lidhje me një procedim penal për “kultivim bimësh narkotike”, që ende nuk dihet nëse ka nisur para apo pas vrasjes së oficerit të Policisë së Lezhës, Saimir Hoxha.

Bëhet fjalë për persona të përfshirë në kultivimin e drogës, në zonën kufitare mes Pukës dhe Mirditës, nën juridiksionin e qarkut të Lezhës. Parcela që zbuloi dhe asgjësoi bashkë me dy kolegët e tij, Saimir Hoxha, tashmë i shpallur dëshmor, kishte vetëm 62 bimë. Megjithatë, nuk dihet se sa bimë janë kultivuar në parcelat e tjera.

Oficeri i krimeve në Policinë e Lezhës, Saimir Hoxha, u ekzekutua nga Aldi Rama paraditen e 28 shtatorit. Tre efektivët e Policisë ishin kthyer pas një operacioni ku kishin asgjësuar një parcelë të vogël me kanabis në Ishull Lezhë. Në kthim, oficerët e Policisë ndaluan për kontroll makinën, në të cilën ndodhej Aldi Rama bashkë me dy shokë të tij, por sapo oficeri Saimir Hoxha i ka kërkuar mjetin e identifikimit Ramës, ai e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.

Më pas, kolegët e Hoxhës i janë kundërpërgjigjur me armë, por i riu arriti të largohet dhe pas rreth 5 orësh ndjekje nga forcat RENEA, i riu qëlloi veten me një plumb në kokë, duke gjetur vdekje mëngjesin e ditës nesërmes në Spitalin e Traumës në Tiranë. Policia bënte me dije se në vendin e ngjarjes ishin gjetur nëntë gëzhoja plumbash, të cilat ishin të armëve të efektivëve që ishin në vendin e ngjarjes, për të cilët Policia thoshte se kanë qëlluar në drejtim të automjetit të 21-vjeçarit që tentonte të arratisej nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, shokët e Aldi Ramës janë dorëzuar pa rezistencë, 21- vjeçari që ndodhej në pjesën e pasme të automjetit ka refuzuar, duke u deklaruar efektivëve se “unë nuk jam për t’u kontrolluar…”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco