Del VIDEO/ Fuoristrada e mori zvarrë Abazajn te vijat e bardha sapo doli nga puna në fasoneri

Del VIDEO/ Fuoristrada e mori zvarrë Abazajn te vijat e bardha sapo doli nga puna në fasoneri

11:32, 20/10/2021
A+ Aa A-

Aksidenti me vdekje mbrëmjen e djeshme në Berat, 56-vjeçari Artur Abazaj sapo kishte dalë nga puna në fasoneri. Sekuestrohen kamerat e sigurisë, mjeti që goditi për vdekje Abazaj ka qenë një fuoristradë e zezë, që u largua nga vendngjarja.

56-vjeçari i aksidentuar për vdekje mbrëmjen e djeshme në dalje të qytetit të Beratit mësohet se sapo kishte dalë nga puna nga një fasoneri që ndodhet përgjatë aksit nacional Berat-Dimal.

Mësohet se mjeti që e ka goditur dhe është larguar nga vendngjarja ka qenë një fuoristradë e zezë, e cila pas goditjes e ka tërhequr disa metra zvarrë viktimën 56-vjeçare.

Viktima Artur Abazaj ishte përpjekur të kalonte rrugën përgjatë vijave të bardha, kur është goditur nga një mjet që udhëtonte me shpejtësi në drejtim të Beratit dhe- sipas dëshmitarëve në vendngjarje- mjeti e ka tërhequr 56-vjeçarin disa metra zvarrë dhe më pas është larguar nga vendngjarja.

Policia e Beratit ka kryer edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe ka pyetur edhe dëshmitarët që sapo kishin dalë nga puna në momentet që u godit për vdekje Abazaj, ndërkohë që janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të një biznesi përgjatë rrugës, i vetmi në këtë zonë me kamera sigurie.

Nga kamerat e sigurisë, që nuk kanë fushëpamje të vendit të aksidentit, por një kënd tjetër, vihet re fuoristrada e zezë që largohet me shpejtësi nga vendngjarja, dy sekonda pasi ka goditur për vdekje dhe ka tërhequr zvarrë 56-vjeçarin. Edhe pse nëpërmjet kamerave të sigurisë nuk duket qartë tipi i mjetit dhe targat e tij, burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se janë duke punuar për zbardhjen e pamjeve dhe identifikimin e mjetit dhe drejtuesit të tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco