SPAK arreston ish-drejtorin e RTSH, Thoma Gëllçi, shkelje me tenderin 87 mln lekë, në pranga dhe tre punonjës Te

SPAK arreston ish-drejtorin e RTSH, Thoma Gëllçi, shkelje me tenderin 87 mln lekë, në pranga dhe tre punonjës

21:27, 08/10/2021
A+ Aa A-

Me urdhër të SPAK, është arrestuar mbrëmjen e sotme ish-drejtori i Radio Televizionit Shqiptar, Thoma Gëllçi dhe tre anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave. 

Burime për Syri.net bëjnë të ditur se Gëllçi akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, në blerjen e pajisjeve për kanalin 'RTSH Agro'. 

Në njoftimin e bërë publik nga SPAK, renditen shkeljet e Gëllçit dhe tre punonjësve të RTSH, Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj.

Tenderi për të cilin SPAK ka nisur hetimet është në vlerën e 87 milionë lekëve të reja.

Për katër të akuzuarit, SPAK kërkon arrest me burg, ndërkohë që të pandehurit pritet të njihen ditët në vijim  me masën e sigurisë nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit. 

Image

"Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 28.02.2020 ka regjistruar proçedimin penal nr.82/2020 për veprën penale "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal. Hetimet në kuadër të këtij proçedimi janë kryer në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore gjithëpërfshirëse lidhur me këtë proçedim rezultoi se: 

Në proçedurën e prokurimit "Proçedurë e hapur", me objekt "Blerje pajisje për kanalin RTSH Agro", me nr. REF-90011-10-16-2018, me fond limit 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh), zhvilluar në datën 09.11.2018 nga autoriteti kontraktor Radio Televizioni Shqiptar, janë konstatuar shkelje ligjore, të kryera nga ana e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht të hetuarve J.T., A.M. dhe E.M., shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) të Kodit Penal.

Po kështu nga hetimet ka rezultuar se edhe shtetasi TH.G., me detyrë ish-Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, ka kryer shkelje ligjore në këtë proçedurë prokurimi, shkelje këto të kualifikuara në elementët e veprës penale "Shpërdorimi i detyrës", parashkuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për caktimin e masave të sigurimit personal "Arrest në burg" ndaj shtetasve nën hetim J.T., A.M., E.M. dhe Th.G. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.79 datë 07.10.202, vendosi: "Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë.

Vendosjen e masës të sigurimit personal "Arrest në burg" ndaj shtetasit nën hetim Th.G., i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Shpërdorimit i detyrës, parashkuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Vendosjen e masave të sigurimit sigurimit personal "Arrest në burg" ndaj shtetasave nën hetim J.T., A.M. dhe E.M., të dyshuar për kryerjen e veprës penale "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) dhe 25 të Kodit Penal.

Ky vendim është ekzektuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit", thuhet në njoftimin e SPAK. 

Gëllçi u largua nga detyra në maj 2021
Thoma Gëllci u lirua nga detyra e drejtorit të RTSH në 20 maj 2021. Vendimi u mor nga Këshilli Drejtues i RTSH, me votimin pro të tetë anëtarëve.

Në vendim thuhet se duke qenë se mandati i Thoma Gëllçit kishte përfunduar që më 06.05.2021, Këshilli Drejtues i RTSH konstatoi se 'do veprim i ndërmarrë nga drejtori i RTSH pas përfundimit të mandatit përben shkelje, pasi është në tejkalim të kompetencave të tij, për të cilin do të mbajë përgjegjësi ligjore'.

Drejtimi i RTSH i kaloi zv/drejtorit të Përgjithshëm, Martin Leka i cili vijon ta ushtrojë këtë funksion edhe aktualisht. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco