Arrestimi në Shkodër/ Një vit më parë Luverdo Kola qëlloi me armë zjarri shokun e tij

Arrestimi në Shkodër/ Një vit më parë Luverdo Kola qëlloi me armë zjarri shokun e tij

11:17, 08/10/2021
A+ Aa A-

Kreu i një grupi kriminal në qytetin e Shkodrës që merrej me kultivimin e lëndëve narkotike dhe ishte akuzuar më parë për plagosje me armë zjarri përfundoi në prangat e Policisë.

Në kuadër të operacionit të koduar “Alavana” përfundoi në pranga 30-vjeçari Luverdo Kola, banues në Shkodër, pasi rezulton i shpallur në kërkim për një plagosje me armë zjarri, ngjarje e ndodhur vitin e shkuar në qytetin verior. Policia lokale e konsideron të riun si “drejtuesin e grupit kriminal dhe person me rrezikshmëri shoqërore”, ndërsa ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja me dashje” mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

“Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit në kërkim Luverdo Kola, 30 vjeç, banues në Shkodër. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi Policia i gjeti një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, sqaron Policia.

Kapja e 80 Kg drogë

Në momentin e arrestimit Kola shoqërohej nga një tjetër pjesëtar i një grupi kriminal që kishte kultivuar masivisht kanabisin në zonën e Malësisë së Madhe, i cili ka arritur t’u arratisej forcave të rendit në një zonën pyjore. “Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e njërit prej bashkëpunëtorëve, shtetasit Gezim (Gjin) Çakaj, 52 vjeç, banues në Malësi të Madhe, i shpallur në kërkim, pasi me vendimin e datës 24.09.2018 të Gjykatës së Apelit Shkodër është dënuar me 4 vite burgim për veprat penale ‘Kultivimi i bimëve narkotike’ dhe ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’ kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas në momentin që janë afruar shërbimet policore, duke përfituar nga terreni i pyllëzuar, është larguar”, sqaroi Policia e Shkodrës. Në kuadër të këtij operacioni është ushtruar kontroll në vendin e quajtur “Alavana”, fshati Xhan, në banesën e shtetasit Gezim (Gjin) Çakaj, ku Policia ka gjetur dhe sekuestruar 80 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa dhe një sasi municioni luftarak.

Përplasja me armë

Më 1 shtator të vitit të shkuar shtetasi Luverdo Kola qëlloi me armë zjarri në drejtim të shtetasit Tonin Larushku, 38 vjeç, nga fshati Toplanë i Bashkisë së Vaut të Dejës. I plagosuri ka marrë vetëm një plumb në bark duke arritur që të mbijetojë. Menjëherë pas krimit Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim shtetasin Luverdo Kola, 29 vjeç në atë kohë. Sipas burimeve nga vendngjarja mësohet se palët edhe më përpara janë përfshirë në debate të ndryshme. Autori i dyshuar ka një lokal ndërsa përballë tij është një dyqan mishi që është i djalit të xhaxhait të të plagosurit. Debati nisi për parkimin e një makine pranë lokalit të autorit të dyshuar Luverdo Kola.

Fillimisht palët janë përfshirë në debat për çështjen e parkimit dhe më pas janë konfliktuar edhe fizikisht. Në një moment, sipas burimeve nga vendngjarja, një person ka qëlluar makinën e shtetasit Luverdo Kola, ndërsa ky i fundit është larguar duke u shpëtuar plumbave. Më pas 29-vjeçari ka marrë makinën e tij dhe ka ndjekur palën tjetër për rreth 40 metra. Mjeti ku ndodhej edhe Tonin Larushku ka frenuar me shpejtësi dhe kanë dalë nga makina dhe në atë moment dyshohet se Luverdo Kola ka hapur pak xhamin e makinës dhe nga mjeti i tij dyshohet se ka qëlluar 38-vjeçarin duke e lënë të plagosur dhe më pas është larguar me shpejtësi. Sipas burimeve, të dyja palët më përpara kanë qenë shokë midis tyre. Policia vendore e Shkodrës nuk gjeti gëzhoja në vendin e ngjarjes, edhe pse u qëllua me disa plumba. Në atë kohë u sekuestruan edhe pamjet e kamerave të sigurisë./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco