VIDEO- SYRI TV/ Si u arrestua doganieri-trafikant, skandali i denoncuar në vitin 2015 nga Berisha

VIDEO- SYRI TV/ Si u arrestua doganieri-trafikant, skandali i denoncuar në vitin 2015 nga Berisha

20:18, 23/09/2021
A+ Aa A-

Policia e Durrësit arrestoi një doganier të portit pasi ishte në kërkim nga autoritetet italiane dhe ishte dënuar me vendim të formës së prerë për trafik droge. Julian Mandija, 42-vjeç, punonte në sektorin e kontrollit të importeve, ndërsa ishte denoncuar në vitin 2015 nga ish kryeministri Sali Berisha për implikim në aktivitetin e paligjshëm

Një doganier në sektorin e kontrollit të importeve në Portin e Durrësit u arrestua nga policia pasi një gjykatë italiane e kishte dënuar atë për trafik të narkotikëve.

Julian Mandija, 42 vjeç, punonte prej kohësh në doganë, pavarësisht të shkuarës së tij dhe llogarive të hapura me drejtësinë e vendit fqinjë.

Ai është ndaluar në vitin 2014 me një sasi të konsiderueshme heroine, bashkë me një tjetër person, sasi për të cilën dhe është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit në Aquila me 7 vjet e 4 muaj burg.

Ndërkohë, 42-vjeçari me të shkuar kriminale në fushën e drogave punonte në sektorin e kontrolleve, në një kohë që Porti i Durrësit është kthyer në një portë të futjes së kokainës nga Amerika Latine, por jo vetëm.

Ndërkohë, implikimi i 42-vjeçarit në këtë aktivitet të paligjshëm nuk ka qenë i panjohur, pasi në vitin 2015 është denoncuar nga ish-kryeministri Sali Berisha në faqen e tij në “Facebook”.

Në atë kohë ish-kryeministri do të denonconte një tjetër shtetas, i konsideruar si bashkëpunëtor i Mandijës në Itali për lidhje me kryeministrin Edi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco