Lajmi i fundit

LIVE/ Kreu i PD, Sali Berisha takim me drejtuesit e Departamenteve

Davide Pecorelli po kërkonte thesarin në ishullin e Montekristos

Davide Pecorelli po kërkonte thesarin në ishullin e Montekristos

11:57, 21/09/2021
A+ Aa A-

Biznesmeni italian Davide Pecorelli fatmirësisht është gjallë, edhe pse para 8 muajsh u hodhën shumë hipoteza për “vdekjen”, apo “zhdukjen” e tij në malësinë e thellë të Pukës.

Rezultoi se ai kishte inskenuar gjithçka derisa gomonia e tij rrezikoi të mbytej dhe aty u zbulua. Nëse arsyeja e këtij inskenimi ishin borxhet e shumta që ai kishte, përfitimi i siguracionit të jetës, apo frika e hakmarrjes nga anëtarët e ndonjë organizate kriminale, këtë nuk mund ta themi me siguri.

Por një gjë është e sigurt, Davide Pecorelli duket se e ka pasur “lakun në fyt”, duke qenë se për ta bërë të besueshme vdekjen e tij, arriti të gërmonte në varre, duke nxjerrë nga aty eshtra, e që më pas iu vuri flakën. Prokuroria e Pukës ka regjistruar procedim penal për tri akuza në ngarkim të biznesmenit italian Davide Pecorelli, i cili pasi u “zhduk” për 8 muaj, u gjet i gjallë në Itali.

Pecorelli akuzohet për “Shkatërrim të pronës me zjarr”, “Dhunim të varreve” dhe “Kalim i paligjshëm kufiri”. Nga ana tjetër, po hetohet edhe nëse italiani ka bashkëpunuar me ndonjë person tjetër për të realizuar të gjithë “vrasjen” e “zhdukjen” e tij.

Pecorelli ka thënë për hetuesit italianë se ka jetuar përgjatë kësaj kohe në një manastir në Medjugorie të Bosnjes, ku kishte shkuar me ndihmën e një prifti të njohur në Shqipëri.

Por çfarë po bënte ai në ishullin e Montekristos, ku edhe u zbulua pasi iu prish gomonia? Ai ka thënë se po kërkonte një thesar në ishullin ku nuk lejohet ankorimi. Thesari i monedhave duket si një triller për përralla, por mediat italiane shkruajnë se Pecorelli ishte i fiksuar pas saj, pasi në hotel mbante objekte numizmatike.

“Vendosa të zhdukem për shkak se kisha shumë probleme ekonomike,” ka thënë ai për hetuesit, duke shtuar se kjo ka lidhje me krimet që ka kryer në Shqipëri. “Anëtarët e familjes sime nuk e dinin se ku isha dhe arsyeja e zhdukjes sime nuk ka lidhje me marrjen e siguracionit të jetës”.

Davide Pecorelli mbërriti në Shqipëri më 3 janar të 2021. Fillimisht shkoi në Vlorë, më pas në Shkodër e në Pukë, ku qëndroi për dy netë. Gjurmët e tij u zhdukën në mesnatën e 6 janarit, ndërsa makina ku ai udhëtonte u gjet e djegur e brenda saj mbetje kockore, që kurrë nuk u vërtetuan që ishin të tijat. Për 8 muaj ai humbi kontaktet, por do të zbulohej pas një incidenti me gomone në ishullin e Montekristos, ku rrezikoi mbytjen.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco