U rrëmbye 14-vjeçe / Prindërit e Sabrinës detaje rrëqethëse: Elton Metaj deshi të na vriste edhe…

U rrëmbye 14-vjeçe / Prindërit e Sabrinës detaje rrëqethëse: Elton Metaj deshi të na vriste edhe…

09:54, 14/09/2021
A+ Aa A-

Pas vrasjes makabre të 23-vjeçares Sabrina Bengaj, familjarët e saj thyejnë heshtjen.

Tri ditë pas ngjarjes tragjike në familjen e tyre ata akuzojnë organet e drejtësisë ndërsa kërkojnë dënim maksimal për autorin. Gishtin e drejtojnë edhe nga nëna e autorit, pasi sipas tyre, ajo është personi që ka po aq faj sa i biri.

Familjarët kanë deklaruar publikisht se vajzën ua kanë rrëmbyer kur ajo ishte ende e mitur, sapo kishte mbushur 14 vjeç, një tjetër vepër penale kjo që pritet të rëndojë edhe mbi nënën e Eltonit.

Familjarët tregojnë se e bija ishte ankuar për tradhti dhe dhunë sistematike nga i shoqi, kjo bëri që një vit më parë ata t’i hapin derën vajzës e mbesës së mitur për të mos e lënë më në dorë të Eltonit.

“U Qëllua pas shpine”

Nëna e vajzës mes lotësh tregon momentet e ekzekutimit kur autori shkoi në shtëpinë e tyre në fshatin Zhupan.

Valentina Bengaj deklaron mes lotësh se vajza po hante bukë kur 31- vjeçari Elton Metaj mbërriti i armatosur me armë automatike në banesën e tyre. Pas trokitjes së fortë në derë, gruaja shprehet se vajza doli me gjithë pjatën në dorë, duke i deklaruar ish-bashkëshortit se nuk kishte punë me askënd por vetëm me të.

Madje tha se i rrezikuar nga vrasja ishte edhe djali i saj i vetëm, por për fat të mirë, ai nuk ishte në shtëpi në momentin e krimit të rëndë. Nëna e Sabrina Bengës deklaroi se kjo ishte hera e dytë që familja e saj terrorizohej nga Elton Metaj, ndërsa natën e së premtes në rrezik përveç të tjerëve ishte edhe nusja e djalit, shtatzënë.

“Është shumë e vështirë. Po vinte ora 22:20. Çdo natë, kur ishte turn i dytë apo kur ishte i parë, unë dilja sepse frikën e kisha nga ai njeri i poshtër. Lë hekurin dhe dal në rrugë. Ai ka bërë terror edhe vjet. Ishte hera e dytë me kallash që vinte në shtëpinë tonë. Vajzën e prita dhe po hante bukë, ndërsa unë po vazhdoja punën. Po hekurosja dhe derën e kisha lënë hapur se prisja djalin tim, kur e pash që hyri ai dhe trokiti fort. Thashë mos ishte Eltoni.

E pashë që po hapte derën dhe iu afrova dhe e mora me të mirë që të mos acarohej. I thashë aman, të lutem ik se 10 muaj i ke bërë burg, ik pa të parë njeri, mos bëj zhurmë. Ai më tha ku është ajo, për vajzën.

Vajza tjetër e kisha këtu në dhomë. E dëgjoi që po bënte zhurmë dhe doli. Vajza doli me pjatë në dorë. I vuri automatikun, i tha do vish me mua. Në moment doli dhe nusja e djalit tim. Vajza i tha mos e godit këtë se është shtatzënë.

Ai i tha të vijë djali, pra burri i saj dhe djali im. Sabrina i tha lëri ata, nuk ke punë me ata, hajde se ke punë me mua, jo me ata. Dhe pasi i tha këto fjalë, vajza u kthye prapa për të hyrë brenda. Ai e qëlloi nga pas me automatik. Më pas qëlloi jashtë”, u shpreh nëna e Sabrinës.

Babai: Vajzën ma mashtruan 14 vjeçe, nga turpi nuk fola! U nda për tradhti

Babai i 23-vjeçares së vrarë në Fier, Partizan Bengaj, thotë se krimi ndaj së bijës ishte i paralajmëruar.

Ndërsa ka ardhur nga Italia për ceremoninë e fundit mortore të së bijës që iu martua në moshën 14-vjeçare, ai kërkon drejtësi, pasi në të kundërt paralajmëron se do të hakmerret.

Ai deklaron se vajza iu mashtrua kur u mor në moshë fare të re, duke deklaruar se nuk kishte reaguar atëherë pasi i kishte ardhur turp.

“Së pari unë i kërkoj falje të gjithë opinionit fierak për këtë shqetësim që i sollëm. Vite më parë në pabesi të plotë, kjo lloj familjeje më rrëmbeu vajzën, e mashtruan. Me mashtrim e morën për martesë. Në fillim nuk fola, më erdhi turp nga fisi që më njihte se do thoshin të iku vajza nga shtëpia, nuk qe i zoti dhe kjo është e vërteta, më iku. Më vonë, për hatër të vajzës, bëra paqe me fëmijën tim. Çdo gjë po shkonte mirë dhe pas pak vitesh u lindi edhe një fëmijë. Aty filluan edhe grindjet”, deklaron babai.

Sipas tij, ish-dhëndri e tradhtonte gruan e tij dhe se për këtë kishin pasur edhe fakte, madje edhe një fotografi. Partizan Bengaj tregon se ishte ky momenti kur vajza vendosi të ndahej nga bashkëshorti.

“Ish-dhëndri fillon e tradhton vajzën. Vajzës i erdhën edhe fotografi ku u konstatua dhe me fakte. Vajza merr të vëllanë në telefon dhe i thotë ‘hajde më merr se burri im po bredh me të tjera’. Erdhi në shtëpi. Pas 5 ditësh vjen dhe e kërcënon në shtëpinë time me armë. Nuk fola për shumë gjëra, as nuk e denoncova. Pasi e arrestojnë fillon e ëma që është një copë injorante, mashtruese, filloi të thoshte që armën i biri e kishte marrë në shtëpinë time.

Unë e denoncoj publikisht në Prokurorinë e Shkallës së Lartë për mashtrim, atëherë Policia e Fierit pse nuk kontrolloi shtëpinë time? Unë e denoncoj publikisht dhe zotin Piro Sota. Tani meqë e liruan dhe iku ime bijë të përgjigjen ata.

Direkt akuzoj ish-ministren e Drejtësisë dhe prokurorinë, ku ishin? E dyta, kush janë këta mjekë, këta sahanlëpirës që e lirojnë duke nxjerrë akt-ekspertize se ai qenka i sëmurë dhe e nisin në Zahari.

Kërkoj drejtësi, në të kundërt do të merrem vetë më këtë çështje. Dënimi të bjerë edhe mbi nënën e autorit, se edhe ajo është strumbullari i kësaj pune. Ajo i rregulloi gjërat që ma morën vajzën me mashtrime. Shteti të marrë masa”, ka thënë babai i viktimës.

Në momentin e krimit, Sabrina Benga ka dalë para autorit sepse ka dashur të ruajë familjarët e tjerë, sidomos kunatën, e cila ishte shtatzënë. Sot Sabrina do të mbushte 23 vjeçe, kunata e saj ka lindur një vajzë dhe emrin ia ka vendosur Sabrina.

Ngjarja e rëndë ka tronditur qytetin e Fierit dhe jo vetëm. Kjo ka qenë një vrasje e paralajmëruar pasi prej një viti familjarët e vajzës kishin pasur problem me autorin e vrasjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco