Operacioni i dështuar: Klani 'Duka' i mori policisë 100 mijë euro!

Operacioni i dështuar: Klani 'Duka' i mori policisë 100 mijë euro!

10:10, 28/07/2021
A+ Aa A-

Nga Elton Qyno*

“Clan Del Golfo” e “Clan Del Duka”, po 100 mijë eurot si i avulluan policisë?

Të shihje televizionet informative dhe edicionet e tyre të lajmeve të orës 19:30, e nisje dhe e bitisje me ngjarjen e “Varrit të Bamit”. Pa le portalet online pastaj. Këta kanë bombardim ajror tjetër…

Të gjitha lajmet ishin që Benz-i i iku RENEA-s dhe operacionales së policisë, dhe këta të fundit për inat që s’ia hapën dot derën atij B.q…it, shkuan dhe shtrinë në zallin e pseudo-lulishtes së një cepi pallati, mikun tim Ergys Gjençaj.

Nga ana tjetër tentuan të fusnin në bashkëpunim dhe kolegen time të kronikës së zezë, Klod Lalën. Kërcënonin që ta fusnin në bashkëpunim me autorët, por ëhëëë nuk ia dolën dot. Nuk thyhet kollaj, Klod Lala. Habitem se si kaq lehtshëm, të fut policia në bashkëpunim.Më duket fiks si ato sheret që nisin për “…Pse më shef…”.

Ngjarjen e pamë të gjithë dhe sigurisht që ishte e rëndë. Jo vetëm për faktin se Benz-i luksoz iu iku 5 burrave të policisë, pasi nuk është hera e parë që ndodh. Kjo skenë e tillë ka ndodhur edhe herë të tjera që persona shumë më të rrezikshëm se këta bishtat, u kanë ikur policisë.

Dhe skemi pse çuditemi me këtë rast, ku kemi rastin e Arbër Paplekaj dhe të tjerëve, që vrau “Pipin” në sy të dy zv/drejtorave të policisë së Elbasanit dhe ata u strukën prapa dyerve të Range-Rover-ave të bardhë të policisë. Dhe askush s'e ndoqi me vrap apo me makinë për ta kapur Paplekaj. Ashtu sikundër nuk kapën dhe personin tjetër që qëlloi nga brenda lokalit. 

Por ngjarjen e “Varrit të Bamit” e rëndoi akoma më tepër sjellja e policisë mbi dy kolegët e mi, Gjençaj dhe Lala. Të parin e lëvrinë në pseudo lulishten e pallatit, të dytën e kërcënuan se nëse do afrohej, do e fusnin në bashkëpunim me autorët. Pra nenin 25 të Kodit Penal e aktivizuan direkt keta. Hajde presion hajde. Mirë që si thanë “...ty do të marrin të penduar…”. 

Për një moment Klodi, duket se u step dhe ktheu prapa, duke dalë në trotuarin e rrugës. Ndërsa miku im Ergys Gjençaj, qëndronte poshtë plëncit të policit të antidrogës, që ia kishte hapur këmbët dhe e mbante në mes.

Nëse do isha në vend të Gysit dhe do kisha info më parë se e kujt grupi ishte kokaina “Philipp Plein”, do i ikja me vrap dhe do shkoja të hyja në një Bar-Kafe që ndodhet tek zona e “Freskut”. Policët do më ndiqnin e do më thërisnin “…hape derën o b…q…r, hape derën…policia…" Hape derën se të bëjmë këtë dhe atë, por jo s’do bëja asnjë gjë. Se dhe ata s’do bënin asgjë ndaj meje. Pasi në këtë lokal që ndodhet tek Fresku, edhe vetë policët nuk hyjnë dot. Ose hyjnë pijnë kafe dhe ikin… 

Sot e kësaj dite Policia e Shtetit, po qoftë dhe Policia e Tiranës, nuk ka kërkuar një falje publike mbi atë që ndodhi me gazetarët dhe qytetarët e pafajshëm. Kaq gjë duhet ta bëjë këtë javë besoj. Një operacion të dështuar, që aq më tepër iu kthye dhe në boomerang, duke pasur të gjithë opinionin publik kundër. E mbi të gjitha një hetim mbi kokë, të nisur nga prokuroria e Tiranës dhe SHÇBA-ja e Ministrisë së Brendshme.

Me sa duket presioni dhe ultimatumi i 100 ditëve “…ose rregulloni situatën e rendit ose iu piu e zeza…, solli këtë situatë që rrjedhimisht uli besimin dhe imazhin e policisë tonë.
Por ajo që ndodhi ndodhi. U pa nga të gjithë dhe tashmë po meren organet e hetimit. Por mua më vjen shumë habi se si është e mundur që mediat, televizione dhe portale, meren gjithë ditën me këtë ngjarje dhe nuk thonë dot, se çfarë ka ndodhur para këtij operacioni dhe kujt grupi, dyshohet se i përkiste kokaina “Philipp Plein”.

Këtu mediat tona, portale e televizione kombëtare, marrin përsipër të raportojnë edhe matanë “Atlantikut” për “Elbasanlliun e Kolumbisë” Agim Çermën, se medemek bashkëpunonte me kartelin “Clan del Golfo” dhe i futen këtij karteli me rrënjë e me maç, e nuk lenë Gonzales, Raul, e Salgado pa nxjerrë.

Ndërsa habitshëm mor jahu, nuk thonë asnjë fjalë për grupin “Clan del Duka” në Shqipëri.

Nuk thonë asnjë fjalë që Altin Gega, njëri nga të arrestuarit e operacionit policor “Pizza Connection”, është djali i hallës së “Clan del Duka”. Nuk thonë asnjë fjalë që i arrestuari tjetër, Erjon Prenga, është anëtar aktiv i “Clan Del Duka”. Nuk thonë asnjë fjalë që Prenga është djali i një biznesmeni që ka një resort shumë të njohur në Dajt.

Ashtu sikundër nuk thonë asnjë fjalë se “Clan Del Duka”, prej dy vjetësh është në kërkim. Dhe policia dhe RENEA nuk bëjnë asgjë për t'i ndaluar rrugëve të Tiranës. U habita sot se ç’patën që shkuan të kapnin kokainën “Philipp Plein”. Se çfarë ndodhi që drejtori shtypin butonin, vetëm një zot e di.

Dje ishte dhënë urdhëri të bëhej një dorëzim i kontrolluar. Një agjent i infiltruar brenda radhëve të anëtarëve të “Clan Del Duka”, kishte hyrë në tratativa për të blerë nja 3 kile mall, kokainë “Philipp Plein”. Situata ishte krijuar në atë lloj forme që dhe shitësve të “Clan del Duka” t'u krijohej besim që blerësi, agjenti i policisë, kishte eurot cash.

Policia nuk ka pasur këtë sasi eurosh cash, dhe mësohet se i ka marrë tek një agjenci të njohur “Exchange” në Tiranë.

Sasia e eurove është marrë vetëm për t’ia treguar shitësve, por në fakt nuk do ia jepnin atyre. Pasi në këtë shkëmbim që ishte përgatitur të ndodhte, agjenti blerës i kokainës do fuste në grackë shitësit e “Clan del Duka”, të cilët kishin mbërritur në vendin e takimit, pikërisht në një zyrë ku jepen makina me qera.

Në këtë vend takim, pazari dhe shkëmbimi, mësohet se ishte bërë për 3 kile kokainë, kundrejt shumës gati 100 mijë eurove. Kokaina ishte futur në dy paketime picash.

Por kur do bëhej dorëzimi i kontrolluar, ndërhyn operacionalja dhe RENEA dhe situata del jashtë kontrollit. Mes rrëmujës, agjentit të policisë i kanë ikur nga duart 100 mijë euro që drejtuesit policorë i morën tek Exchange dhe personi është larguar. Për një moment policët kanë mbetur si rruajtur-qethur, pasi Benz-i iku, eurot i ikën dhe një pjesë e picës u iku. Ata kapën vetëm 1 kg e 128 gramë kokainë brenda një pice, të fshehur poshtë një makine të parkuar në rrugë.

Ndërsa iu lëshuan kolegëve të mi, Ergys Gjençaj dhe Klod Lala, që u ndodhën krejt rastësisht në atë moment dhe në atë vend. Nga ana tjetër kapën në një makinë Erjon Prengën dhe një tjetër në një makinë, nga ku besohej se kryhej vëzhgimi. 

Por nuk u tha dhe diçka tjetër për këtë ngjarje, se ishte vetë policia që kishte futur në grackë këta persona, ndërsa ishte dhe vetë policia, që kishte rënë në grackën e këtyre personave.

Them kështu pasi Clani, ishte kujdesur që veprimet e blerësit t'i mbante në vëzhgim të rreptë nga dy persona të tjerë, të cilët do monitoronin veprimet e blerësit dhe çdo situatë të pakëndshme apo veprim të dyshimtë. Pra është luajtur një lojë “Zbulim-Kundërzbulim”.

Policia në deklaratën e thatë të saj për shtyp tha se kapi kokainë, ka shoqëruar dhe disa persona. Më pas doli dhe lajmi që personat e arrestuar janë Erjon Prenga, Gentjan Kore, Taulant Çoku dhe Altin Gega. Mes këtyre personave të ndaluar ishte dhe Gazmend Cani, personi që iu iku me Benz, policëve të RENEA-s. Ai ka treguar se iu ka ikur policisë, për shkak se është trembur.

Tani personat u kapën, edhe njeriu i Benz-it u kap, droga po e po. Po 100 mijë eurot ku shkuan? Se policia nuk shkoi aty të bënte një dorëzim të kontrolluar, që t'u jepte patate ose kumbulla dhe t'u merrte kokainën mijëra euro “Philip Plein”. Aq më tepër nuk shkoi ta merrte veresie, këtë s'e besoj kurë.

Tanimë Clani duket se po bën negociata me policinë të kthejë sasinë e eurove, me qëllim për të lehtësuar dhe pozicionin e personave të ndaluar dhe që policia të dalë faqebardhë edhe me pronarin e Exchange në Tiranë. Se ia mori për dy orë dhe nuk i ka kthyer asnjë njëshkë. 

Sigurisht që gjasat janë që t’ia kthejë, mbase i gjithë operacioni i kthimit, është kryer gjatë orëve të natës.

Në mënyrë që sot, Ardi Veliu, të dalë në një konferencë për shtyp dhe tu tregojë të gjithë shqiptarëve, fije e për pe, të gjitha detajet e këtij operacioni “Pizza Connection”, metodat speciale të hetimit si dhe provat e administruara dhe personat e arrestuar.

*Elton Qyno është një nga gazetarët më me përvojë në fushën e Ligjit dhe Rendit. Shkrimi është publikuar në faqen e tij në FB

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Leonsio28/07/2021 15:48

Bravo , analize e sakte , sepse ne te kundert do kishim mohimin nga krye.... Ardi VELIU ...

Julian28/07/2021 10:57

*Elton Qyno është një nga gazetarët më me përvojë në fushën e Ligjit dhe Rendit". kete shkruan © SYRI.net. Qe te jemi te qarte, ky gazetaruc as e ka haberin e ligjeve, ky te me te dobetit (gjyqtare, etj) mundohet duke shfrytezuar ne maksimum postin qe ka per te ndikuar ne shkeljen e ligjeve. Elemente te ketille nuk i duhen as dreqit e jo me ketij vendi.

Shto koment

Denonco