Kapen për herë të tretë me kokainë në banane, SPAK nis hetimet

Kapen për herë të tretë me kokainë në banane, SPAK nis hetimet

13:28, 24/07/2021
A+ Aa A-

Është hera e tretë që në kontejnerët me banane të kompanisë ‘Alba Exotic Fruit’ gjenden sasi me kokainë. Pas ngarkesës prej 11.6 kilogramësh të sekuestruara më 13 korrik në portin e Durrësit, një tjetër sasi prej 6.5 kilogramë është kapur nga policia pasditen e së premtes.

Në vitin 2019 po në një kontejner me banane të porositur nga kjo komani, policia greke sekuestroi në portin e Pireut një ngarkesë prej 137 kg kokainë që si destinacion final kishte portin e Durrësit.

Në atë kohë në këtë operacion ishte e përfshirë dhe DEA amerikane, e cila për të arritur tek porositësit e sasisë së konsiderueshme të kokainës e zëvendësoi atë me thasë me oriz të pajisura me GPS për të identifikuar porositësit.

I njëjti itinerar i ndjekur dhe e njëjta mënyrë fshehje droge është bërë edhe në dy ngarkesat e kapura së fundmi për të cilat hetuesit dyshojnë se janë nisur në një kohë nga Ekuadori.

Euronews raporton se për këtë çështje ka nisur hetimet edhe SPAK, pasi dyshohet për një rrjet të mirëorganizuar trafiku droge.

Veprimtaria e dyshimtë e kësaj kompanie shtyu policinë të kontrollojë të premten 10 kontejnerët e porositur prej saj në Ekuador në një prej të cilëve u gjet dhe droga.

‘Alba Exotic Fruit’ është një kompani, e cila vepron në treg prej vitit 2011 dhe rezulton të jetë në pronësi Eduart Dautit dhe Barjon Gumenit. Ky i fundit u arrestua më 13 korrik, kur policia zbuloi ngarkesën prej 11.6 kilogramësh kokainë, për të cilën Gumeni u shpreh se nuk ka lidhje.

Nga ana tjetër Eduart Dauti, i cili zotëron dhe pjesën më të madhe të aksioneve të kësaj kompanisë, është shpallur në kërkim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco