Varianti Delta? Nis sërish rritja e numrit të infektimeve në vend

Varianti Delta? Nis sërish rritja e numrit të infektimeve në vend

08:20, 21/07/2021
A+ Aa A-

Pas javësh të tëra me shifra të ulta, të infektuarit me koronavirus nga dje, numërohen me dhjetëra.

Ministria e Shëndetësisë raportoi 43 raste të reja, një rritje që nisi nga java e shkuar, tregues tjetër i prezencës së varianteve të reja të COVID-19, përpos sinjaleve të pazakonta në laboratorët e virologjisë në ISHP. Në kushtet kur asnjë zyrtar nuk e ka konfirmuar, por as e përjashton praninë e mutacionit “Delta”, e vetmja gjë që rekomandohet është respektimi i masave dhe vaksinimi.

Ndonëse e kanë mundësinë në javën e vaksinimit të hapur, të paktë janë ata që i shesh në sheshin “Skënderbej”, në pritje të një vaksine, veçanërisht ata që shkenca i cilëson si transmetuesit më të mëdhenj të virusit, të rinjtë. Edhe pse ka vaksina gjendje e të tjera kanë ardhur apo pritet të prekin tokën shqiptare brenda muajit, falë kontratave që qeveria ka, ritmet e vaksinimit kanë ardhur në ulje. Që prej 11 janarit janë injektuar mbi 1 milion doza, por numri i të imunizuarve në rrugë artificiale nuk ka arritur ende në gjysmë milioni. Çdo i interesuar ka edhe pesë ditë kohë të injektojë lëngun e çmuar të “Sinovac” ose “AstraZenca”-s në qendrën shëndetësore apo çdo pikë vaksinimi. Paralelisht me ta po punojnë edhe qendrat e lëvizshme në për të vaksinuar derë më derë personat që nuk kanë mundësi të lëvizin.

Mutacioni

Pas Serbisë e Kosovës, një tjetër vend fqinj, Maqedonia e Veriut raporton të infektuar me mutacionin “Delta”, që ka transmetueshmëri disa herë më të lartë se varianti klasik i COVID-19. Ishte vetë ministri i Shëndetësisë, Venko Felipce, ai që bëri publik lajmin, duke apeluar qytetarët të vaksinohen, si e vetmja mënyrë për ta luftuar virusin. “Tre në Shkup dhe nga një në Kumanovë dhe Tetovë. Nga gjithsej 8 të analizuar, kjo nuk është diçka ekskluzive. Për të gjitha llojet dhe mutacionet e virusit vaksina është shpëtimi i vetëm dhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se kjo është mënyra se si mund t’i japim fund pandemisë”, nënvizoi ministri maqedonas i Shëndetësisë. Ndërsa në vendin tonë, e para e Shëndetësisë mjaftohet me sinjalet e pazakonta në laboratorë.

Që nga data 9 korrik, ministrja Ogerta Manstirliu deklaroi që ka sinjale për prezencën e variantit indian dhe se mostrat e dyshuara do të dërgohen në Gjermani, por që atëherë nuk ka ende një përgjigje, e cila do të reflektonte tjetër sjellje dhe nivel mbrojtjeje nga qytetarët e po ashtu, edhe masa të tjera shtrënguese. “Është vlerësuar që një seri mostrash, të cilat janë identifikuar si sinjale të pazakonta, të çohen në Laboratorin e Referencës në Gjermani, për të bërë vlerësimet e mëtejshme dhe për t’u bërë sekuencimi genomik, në mënyrë që të shihet nëse ka një qarkullim të mundshëm të variantit ‘Delta’ në Shqipëri”, tha ministrja, teksa inspektonte procesin e vaksinimit në Qendrën Shëndetësore të Saukut. Të njëjtën gjë deklaroi të hënën edhe drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, në mbledhjen e Komitetit të Ekspertëve.

Situata

Njëzet e katër orët e fundit shënuan rritje të ndjeshme të infektimeve me koronavirus. Nga 3526 tamponë, janë konfirmuar 43 qytetarë të infektuar rishtazi me COVID-19, gjysma e të cilëve i përkasin Tiranës, por edhe në Has, Elbasan, Durrës e Lezhë. Shifra e fundit e ka rritur bilancin e të infektuarve në 198 persona, ndërkohë që të shëruarit janë vetëm pesë. Në strukturën e vetme spitalore, Spitalin Infektiv, po marrin trajtim të specializuar vetëm gjashtë pacientë të ardhur nga kryeqyteti, Elbasani, Durrësi e Korça. Gjendja e tyre është e stabilizuar dhe për fat të mirë, asnjë humbje jete nuk është raportuar ditën e djeshme, njëjtë si tri javët që lamë pas.

Mutacioni i ri që ka mbërritur në Ballkan e vendet fqinje ka prishur balancat e krijuara që nga muaji mars kur kurba njohu vetëm ulje e me sa duket do të kërcënojë Shqipërinë përpara vjeshtës. Duhet nënvizuar gjithashtu, se që prej muajit korrik, rastet kanë njohur rritje të lehtë nga dita në ditë. Në hartën gjeografike, kryeqyteti është rikthyer në krye të listës me më shumë të infektuar, por edhe rasteve ditore, ndjekur nga Elbasani, Vlora, Durrësi e Fieri./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco