Iljadhit tentojnë t’i djegin lokalin, ja pse u arrestua në spital biznesmeni

Iljadhit tentojnë t’i djegin lokalin, ja pse u arrestua në spital biznesmeni

10:20, 22/06/2021
A+ Aa A-

Pasi u qëllua me breshëri automatiku mëngjesin e së dielës, lokali i biznesmenit nga Saranda Spiro Iljadhi është tentuar të digjet. Në pranga për ngjarjen ka përfunduar shtetasi Luan Obzova, 32 vjeç, person me precedentë penalë në fushën e narkotikëve.

Policia sqaron se këtij shtetasi i është sekuestruar në cilësinë e provës materiale një shishe me lëndë djegëse që do të përdorte për të realizuar zjarrvënien dhe motomjeti me të cilin do të largohej. Dyshohet se Obzova mund të jetë paguar për të kryer zjarrvënien. Ende nuk dihet nëse 32-vjeçari ka lidhje me tre autorët e dyshuar të ngjarjes, dy prej të cilëve janë ende në kërkim nga Policia.

Arrestimi i biznesmenit

Edhe pse u qëllua me breshëri automatiku dhe mbeti i plagosur rëndë, biznesmeni nga Saranda Spiro Iljadhi, është arrestuar nga Policia, ndërsa ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Arrestimi i 35- vjeçarit u bë pasditen e djeshme, ndërsa më herët gjatë ditës u prangos edhe një nga tre autorët, shtetasi Redjan Hadëri, 33-vjeç nga Tepelena.

Policia lokale sqaroi se Iljadhi, i cili njihej edhe me emrin Ermal Iljazi, u ndalua për shkak se ka qëlluar me armë zjarri të llojit pistoletë në drejtim të tre autorëve të dyshuar, vëllezërit Andrea dhe Visi Caushi, si dhe ndaj të arrestuarit Hadëri.

“Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë ndaj personave të tjerë të përfshirë në konflikt, njëri prej tyre i ndaluar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim nga Policia”, sqarojnë burimet zyrtare.

Ndaj biznesmenit, janë ngritur dy akuza penale, ajo e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtjes pa leje”. Gjithashtu, në prangat e Policisë përfundoi edhe një nga tre të kërkuarit për ngjarjen e rëndë, pikërisht Redjan Hadëri, për të cilin Policia thotë se 33-vjeçari është bashkëpunëtor i dy vëllezërve Caushi, të cilët po kërkohen nga forcat e rendit. I riu i arrestuar ka marrë përsipër autorësinë e ngjarjes.

“Vijon puna intensivisht për kapjen e dy autorëve të tjerë të dyshuar të ngjarjes dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore”, sqaron komunikata.

Ngjarja

Nga breshëria e armës automatike rreth orës 03:50 të mëngjesit të së dielës, në lagjen Nr.1 të qytetit të Sarandës, pranë lokalit të njohur “Orange”, përveç biznesmenit Spiro Iljadhi, mbeti i plagosur edhe Marin Jaho, me pasaportë amerikane dhe kalimtar i rastit.

Në vendin e ngjarjes, Policia gjeti rreth 20 gëzhoja të armës automatike. Mësohet se tre autorët e dyshuar janë nxjerrë jashtë lokalit nga roja i sigurisë dhe më pas ata janë kthyer me armë zjarri duke qëlluar mbi 35-vjeçarin dhe duke e lënë të plagosur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco