Iu bllokuan 1 mln euro/ Kush është Raul Zenunaj, trafikoi 9 ton drogë

Iu bllokuan 1 mln euro/ Kush është Raul Zenunaj, trafikoi 9 ton drogë

09:58, 16/06/2021
A+ Aa A-

I akuzuar si pjesëtar i një grupi kriminal që ka trafikuar rreth 9 tonë kanabis nga Shqipëria drejt Italisë, pas burgimit, Raul Zenunajt i vendosen nën sekuestro preventive edhe pasuritë.

Gjykata e Vlorës mori këtë masë ndaj pasurive të shumta të Zenunajt, kryesisht apartamente, vlera e të cilëve kap shifrën e mbi 500 mijë eurove, të vendosura në zonën e “Ujit të ftohtë”.

Në listën e pasurive ndaj të cilave u mor masa e sekuestros janë edhe toka arë dhe truall, të cilat ndodhen në lagjen “Kushtrimi”, një pjesë e të cilave, Zenunaj i ka në bashkëpronësi me persona të tjerë.

Gjykata sqaron se janë të paktën 8 apartamente, disa prej të cilave kushtojnë mbi 100 mijë euro, ndërsa për tokat që janë vendosur nën sekuestro, nuk jepet shifra se sa është vlera e tyre. Midis pasurive të sekuestruara janë edhe garazhe si dhe një automjet tip “BMW” në pronësi të 42-vjeçarit.

Grupi i trafikut Shqipëri - Itali

Raul Zenunaj ishte në mesin e 27 personave të arrestuar në vitin 2019, në kuadër të operacionit “Lulet e Pranverës”, operacion i shtrirë në disa qytete të Shqipërisë si dhe në Itali, ndërsa më herët ishin arrestuar edhe persona të tjerë.

Në atë kohë, Policia goditi katër grupe kriminale, ndaj të cilëve u organizuan 26 operacione. Operacioni i realizuar në fillim të shkurtit 2019, erdhi pas një hetimi dyvjeçar, midis Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Leçes. Gjatë operacionit, u sekuestrua një sasi prej rreth 9 tonë drogë e llojit kanabis sativa.

“Në kuadër të hetimeve janë ekzekutuar 26 operacione, ku janë sekuestruar rreth 8 tonë e gjysmë kanabis e 10 kilogramë kokainë e heroinë, si dhe mjaft armë e municione. Janë arrestuar në flagrancë 36 persona dhe janë vënë nën hetim të lirë 90 persona të tjerë”, tha Prokuroria në atë kohë.

Operacionet

Operacioni i koduar “Lulet e Pranverës” i organizuar nga Policia e Shtetit u shtri në disa qytete, si në Durrës, Vlorë dhe Lezhë. Nga operacionet e zhvilluara, rezultoi se më datë 10.02.2017, në vendin e quajtur Godull Adriatik, është gjetur dhe sekuestruar mjeti lundrues gomone dhe në një distancë prej 1600 metra larg saj, është gjetur sasia prej 1,6 tonë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa.

Më datën 26.02.2017, në Cavallino Brindisi, është sekuestruar sasia prej 996 kg marijuanë, e cila vinte nga Shqipëria.

Nga ana italiane është bërë arrestimi i disa personave në Itali, ndërsa në Shqipëri janë identifikuar shtetasi shqiptar Eduard Sallaku dhe shtetasi italian Donato Carluçi, si autorë të kryerjes së veprës penale. Këta shtetas janë dërguar për gjykim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe u dënuan nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, përkatësisht me 12 dhe 13 vjet burgim.

Në datën 05.04.2017, në vendin e quajtur Gjiri i Lalzit, është sekuestruar mjeti lundrues motoskaf, i dyshuar se do të kryente transportimin e një sasie tjetër të lëndës narkotike nga brigjet shqiptare për në Itali. Në këtë datë janë arrestuar shtetasit italianë Gianfranco Mairano dhe Donato Carluçi, të cilët do të trafikonin drogën me skaf, të siguruar nga shtetasi Eduart Sallaku.

Në datën 02.06.2017, është sekuestruar mjeti lundrues gomone, rreth 1 km në brendësi të grykëderdhjes së lumit Vjosë, ku gjendeshin 685 kg kanabis. Për këtë episod, është arrestuar shtetasi Dino Abazi./Panorama/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco