Vrasja makabre/ Si u masakrua 25-vjeçari para se të hidhej në rezervuar

Vrasja makabre/ Si u masakrua 25-vjeçari para se të hidhej në rezervuar

09:55, 16/06/2021
A+ Aa A-

Hetimet për vrasjen e 25-vjeçarit Fridman Xhaferraj, i cili u gjet në rezervuarin e Gjançit në Korçë, kanë nxjerrë në dritë të tjera detaje. Burime nga grupi hetimor thanë se viktima ka pasur një të çarë në kokë prej 5 centimetrash, nga e cila ka gjetur edhe vdekjen. Dyshohet se kjo e çarë është shkaktuar me mjet të mprehtë, që është edhe arma e krimit, edhe pse nuk është gjetur ende.

Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë bëjnë me dije se viktima, i shoqëruar nga Lulëzim Spahia, person i shpallur në kërkim tashmë dhe një person tjetër i moshuar i paidentifikuar nga ana e Policisë, në datat 25, 26 dhe 27 maj janë strehuar në një prej hoteleve në periferi të qytetit të Korçës. Policia ka shkuar te hoteli pasi në xhepin e pantallonave të viktimës janë gjetur kartëvizitat e hotelit në fjalë.

Nga ana tjetër, burimet e Prokurorisë bëjnë me dije se Lulëzim Spahia në datë 21 maj është shpallur në kërkim nga Gjykata e Durrësit, si i dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim. Po të njëjtat burime thonë se në datën 24 maj, viktima Fridman Xhaferraj dhe i shpalluri në kërkim Lulëzim Spahia, janë takuar fillimisht në Elbasan e më pas kanë udhëtuar drejt qytetit të Korçës, ku kanë qëndruar së bashku për katër ditë. Së bashku me Xhaferrajn dhe Spahinë, në hotel me ta, ka qëndruar edhe shtetasi me iniciale K.B., i dyshuar edhe ky nga Policia për veprën penale të vrasjes me dashje.

Policia për momentin nuk ka asnjë të dhënë për vendndodhjet apo lëvizjet e viktimës dhe dy të njohurve të tij, tashmë në pozicionin e të dyshuarve. Viktima Fridman Xhaferraj është gjetur nga një banor i zonës, i mbytur në rezervuarin e Gjançit. Sipas hetuesve, në momentin që trupi u gjet në bregun e rezervuarit, kishte duart e lidhura dhe hematoma të shumta, çka ngriti menjëherë dyshimet se kjo ngjarje ishte një krim duke përjashtuar pistat për ngjarje aksidentale apo vetëvrasje.

Ekspertiza mjekoligjore ka bërë të mundur edhe përcaktimin e kohës se kur ka ndodhur vrasja. Sipas raportit, bëhet fjalë për një krim të ndodhur rreth një javë më parë, ndërsa vrasja ka ndodhur në një zonë tjetër./Panorama

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco