VIDEO/ Aksidenti me dy viktima, dëshmitarët: Mjeti ishte me shpejtësi

VIDEO/ Aksidenti me dy viktima, dëshmitarët: Mjeti ishte me shpejtësi

11:37, 15/05/2021
A+ Aa A-

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy personave ka ndodhur në Lushnje, ku një makinë, duke dalë jashtë rruge nga ura, përfundoi në një kanal. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në vendin e quajtur kthesa e Bubullimës, në Kolonjë, pikërisht në rrugën Lushnjë – Fier.

Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se një automjet tip “Toyota” ka dalë nga rruga duke u përmbysur në kanalin në anë të rrugës.

Kanë qenë dëshmitarët ata që kanë shkuar për t’u ardhur në ndihmë personave që ndodheshin në mjet, kur kanë parë që aty ndodheshin dy persona që e kanë pasur të pamundur të dalin. Dëshmitarët i kanë thënë Policisë së automjeti, pasi ka humbur kontrollin, është rrëzuar në kanal duke u kthyer përmbys, çka nuk u ka dhënë asnjë mundësi që të shpëtojnë.

“U munduan të gjithë që t’u vijnë në ndihmë. Lajmëruam edhe zjarrfikësit e Policinë, të cilët bënë të pamundur për t’i shpëtuar por ishte e kotë çdo tentativë pasi dy shtetasit ishin mbytur dhe nuk jepnin shenja jete”, ka thënë njëri dëshmitar për Policinë.

Si pasojë kanë humbur jetën Xhezmi Oshafi, 68 vjeç, i cili mësohet të ketë qenë taksist, banues në Berat dhe 22- vjeçarja, Aurora Basha, e cila ka qenë pasagjere.

Kalimtarë të rastit kanë thënë se makina me të cilën po udhëtonin dy viktimat ka qenë me shpejtësi të lartë dhe si pasojë drejtuesi ka humbur kontrollin dhe ka rënë nga ura në kanalin në anë të rrugës, duke u kthyer përmbys.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco