Kanabis nga Vlora në Itali/ Pakti mes klaneve shqiptare e nigeriane për shitjen e drogës

Kanabis nga Vlora në Itali/ Pakti mes klaneve shqiptare e nigeriane për shitjen e drogës

17:27, 05/05/2021
A+ Aa A-

Nga Antonio Fraschilla

Një pakt i madh misi klaneve shqiptare të Vlorës dhe atyre nigeriane të lidhura me Black Cats dhe grupin Eiye. Një pakt i hekurt, i blinduar, për të transportuar nga Vlora, tonelata marijuane dhe, përmes Puglias, deri në Romë e prej aty në gjysmën e Italisë, nga Napoli në Breshia.

Protagonistët janë dy kapo, sipas prokurorisë, dy krerët e organizatave kriminale: shqiptari Geraldo Bejaj e nigeriani Momodu Sule, të dy pak më tepër se 30 vjeç, të panjohur për shumicën, por që luajnë fijet e kësaj organizate të blinduar që ka drejtuar trafikun e drogës në gjithë Italinë.

Njëri u thoshte të tijve: Tri kile, shpejt. Tjetri, pasi e merrte mesazhin përmes korrierëve të ndryshëm, përgjigjej: Pa problem. Në këtë pakt nuk ka gisht Cosa Nostra, camorra apo ‘ndrangheta’, por vetëm italianë që përdoren si furnizues. Si për shembull një i papunë nga Roma, në emër të të cilit rezultojnë 350 makina që iu jepeshin shqiptarëve për transportimin e drogës apo për të lëvizur me lehtësi duke ndryshuar shpesh mjetin.

Në javët e kaluar, prokuroria e Romës, e drejtuar nga Michele Prestipino, me kërkesë të prokurores Nadia Plastina e cila ka koordinuar dy vjet hetimesh të karabinierëve, siguroi mandatet për arrestimin e 52 anëtarëve të paktit shqiptaro-nigerian.

Duke lexuar mijëra faqe përgjimesh telefonike e ambientale, dhe relacionesh, zbulohet se si është kryer trafiku nga kjo marrëveshje e madhe kriminale. E përtej sekuestrimeve të kryera gjatë arrestimeve, me vlerë rreth 2 milion euro, hetuesit dyshojnë se kjo është vetëm maja e ajsbergut. E sigurt është që përmes këtij pakti Momodu Sule, sipas prokurorisë, drejtonte furnizimin për shitjet në rrugë jo vetëm në Roma, por edhe në Brescia, Parma, Isernia e Napoli.

Ndërsa Bejaj ishte pikë referimi për dërgesat jo vetëm në Romë, por edhe në Venezia, Verona e Firenze. Pas dy vjet hetimesh, Plastina shprehet me habi për këtë organizatë që ndonëse operonte në territore simbol të mafieve italiane nuk dukej se kishte ndonjë kontakt me italianë të lidhur me krimin e organizuar.

Hetimi lindi më 2018 nga disa arrestime të bëra nga karabinierët në Romë në zonën e stacionit hekurudhor Roma-Tiburtina dhe stacionit të autobusëve Tibus. Nga këto arrestime të para u zbulua mekanizmi i transportit me autobusë nga Puglia në Romë:

‘Kryeqyteti, pas një vit hetimesh, rezultoi se ishte qendra e pritjes së tonelatave me marijuanë që vijnë në territorin roman për t’u transportuar në gjithë Italinë e madje edhe jashtë (Gjermani, Austri, e me shumë gjasa edhe në vende të tjera fqinjë)’, bënë të ditur hetuesit. ‘U konstatua gjatë më tepër se një vit hetimesh ekskluziviteti i marrëdhënieve midis organizatave shqiptare e nigeriane, një pakt që e ka origjinën në kompaninë nënë me qendër në Vlorë’.

Të gjithë të hetuarit shqiptarë janë nga Vlora, marijuana zbarkon nga Shqipëria në brigjet puljeze dhe transportohet në Romë me autobusë linje ose me mjete të tjera transporti. Droga vjen e gjitha me të njëjtin ambalazh, me shirit ngjitës me ngjyrë, shpesh me ngjyra të ndryshme, për të dalluar pakot sipas peshës. Çmim fiks për të gjithë shitësit si kompensim: 50 euro për çdo kile të shitur.

Sipas hetuesve, referenca në Itali e aksit nigerian-shqiptar ishte Momodu Sule me krahun e tij të djathtë Bekim Fisti. Sule u përgjua disa herë me bashkëbiseduesit shqiptarë të cilëve u dërgoi mesazhe me kërkesa: ‘Tri kile menjëherë’, ‘katër kile menjëherë’. Dhe rrjeti u vu në lëvizje. Në krye të organizatës, referenca ishte Bejaj, ‘që fotografitë e hetimeve në kontakt të drejtpërdrejtë me përdoruesit nga prefiksi shqiptar me rastin e zbarkimeve në Puglia, rajon i zgjedhur për zbarkimin e gomoneve (me drogë ose mallra kontrabandë) nga Shqipëria’. Bejaj gjithashtu organizon një takim me disa bosë shqiptarë në qendrën tregtare Roma Est në rrugën Collatina.

Te nigerianët, për hetuesit ajo që doli pas dy vjet hetimi është ‘një strukturë e vërtetë hierarkike, e karakterizuar nga një organigramë shumë e veçantë. Në fakt, siç është bërë e ditur tashmë, organizata nigeriane në fjalë përbëhet në një nivel operacional nga disa grupe kriminale të pranishme në kryeqytet, secila prej të cilave është autonome në veprimtarinë e vet, por në të njëjtën kohë është e gatshme të ofrojë mbështetjen e saj për grupet e tjera për çdo nevojë operacionale, nga furnizimi me drogë, te mbështetja logjistike me automjete dhe shtëpi; secili ka një figurë mbizotëruese, një bos të vërtetë, i cili përveçse drejton grupin e tij, menaxhon marrëdhëniet me homologët e tij. Kjo pikë e fundit e bën të qartë se jemi përballë një organizate të vetme kriminale me origjinë nigeriane e cila ka arritur marrëveshje me dimensione shumë më të mëdha me organizatën tjetër kriminale me origjinë shqiptare që është objekt i këtij hetimi.

Një pakt që do të konfirmonte atë që ishte denoncuar tashmë në 2010, por si një rast i izoluar: pra një aks midis nigerianëve dhe shqiptarëve për shitjen e kokainës, gjithmonë me bazë në kryeqytetin italian. Me sa duket, lidhjet midis dy organizatave janë të vendosura mirë dhe dhjetë vjet më vonë doli pakti për marijuanën.

Një kuriozitet: një italian i papunë, Marco Franceschi, ishte gjithashtu i përfshirë në operacion: ‘Nga hetimet në bazën e të dhënave ACI, rezultojnë të lidhur me emrin e tij plot 382 makina’. Të vënë në disa raste në dispozicion të shqiptarëve.

Marrë nga Espresso-Përgatiti: SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco