'Bilbil-fryrësit': Vetëm 7 'spiunime' në shtet vitin e kaluar për korrupsion

'Bilbil-fryrësit': Vetëm 7 'spiunime' në shtet vitin e kaluar për korrupsion

07:44, 03/05/2021
A+ Aa A-

Prej vitit 2016 kur u miratua ligji “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” që mbikëqyret nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, institucionet shtetërore me më shumë se 80 punonjës dhe ato private me më shumë se 100 duhet të kenë një person të ngarkuar me këtë detyrë.

Por vit pas viti sinjalizimet për abuzimet që mund të bëhen brenda institucioneve dhe bizneseve kanë qenë në nivele të ulëta. Raporti vjetor i vitit 2020 tregon se në total u kryen vetëm 7 të tilla për 6 institucione ku shumica nga administrata dhe vetëm një rast në sektorin privat.

Raporti vjetor i ILDKPKI tregon se nga të dhënat statistikore rezulton se në total janë ngritur dhe funksionojnë 168 njësi përgjegjëse në sektorin publik si dhe 440 njësi përgjegjëse në sektorin privat.

“Në këtë kuadër Inspektorati i Lartë ka marrë dhe ka administruar 149 raporte vjetore nga njësitë përgjegjëse pranë autoriteteve publike, ku nga analizimi i tyre konstatohet se në 5 njësi përgjegjëse janë sinjalizuar dhe trajtuar raste në kuadër të ligjit 60/2016 i ndryshuar si më poshtë:

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka raportuar një rast sinjalizimi të regjistruar në Regjistrin e Sinjalizimit të Brendshëm në Njësinë Përgjegjëse mbi shkeljen e procedurave të prokurimit me vlerë të vogël.

Radiotelevizioni Shqiptar pranë të cilit është paraqitur një rast sinjalizimi ardhur nga njësia vendore Gjirokastër për dyshim mbi praktika korruptive ndërkohë që nga hetimi rezultoi se nuk ka pasur shkelje të karakterit administrativ.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (Ministria e Financave) në të cilën është regjistruar një rast sinjalizimi ku nga auditi i brendshëm në përfundim të kontrollit të kryer dhe në zbatim të procedurës së hetimit administativ rezultoi së nuk ka pasur kundra vajtje.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës pranë së cilës është regjistruar një rast sinjalizimi dhe nga hetimi administativ është marrë masë disiplinore ndaj nëpunësit të gjetur në shkelje të detyrës.

Shërbimi për çështjet e brendshme, ankesat (Ministria e Brendshme) në të cilin raportohen dy raste sinjalizim” thuhet në raportin e ILDKPKI.

Sa i takon sektorit privat nga njësia e posaçme janë marrë dhe administruar 237 raporte ku nga analizimi i tyre konstatohet se nga një njësi përgjegjëse është paraqitur një rast sinjalizimi.

ILDKPKI raportoi gjithashtu se gjatë vitit 2020 në ushtrim të kompetencave ligjore si mekanizëm i jashtëm raportimi për sinjalizimin dhe kërkesa për mbrojtje nga hakmarrja

Inspektorati i Lartë ka regjistruar dhe trajtuar 9 raste sinjalizimi dhe një kërkesë mbrojte nga hakmarrja. Nga analizimi i rasteve të paraqitura rezulton se 7 raste sinjalizimi të jashtëm kanë ardhur nga sektori publik dhe dy raste nga sektori privat. / N.Maho/MONITOR

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco