Zbythja e shtetit/ Si u 'gozhdua' Ardi Veliu për Klement Xhaferrin

Zbythja e shtetit/ Si u 'gozhdua' Ardi Veliu për Klement Xhaferrin

08:48, 23/04/2021
A+ Aa A-

Shteti duhej të tregonte forcën e tij pas përplasjes me armë alla “far west” në Elbasan, por në vend të kësaj dalja në publik e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu dhe prokurorëve të çështjes u kthye në një parodi për të vënë duart në kokë.

“Kush qëlloi i pari?” ishte pyetja që bëri për ujë të ftohtë kryepolicin Ardi Veliu dhe prokurorët që hetojnë përplasjen me armë në Elbasan gjatë konferencës me gazetarët.

Kushdo që i sheh ato pak minuta kur gazetarët pyesin e pyesin vazhdimit se si nisi përplasja me armë në një situatë ku ishin të pranishëm zv.drejtorët e policisë së qytetit dhe disa policë dallon lehtë se si përtypen prokurorët kur vjen puna te momenti thelbësor i dinamikës se konfliktit. 

Në deklaratën zyrtare, Veliu e kaloi këtë moment thelbësor për sqarimin e ngjarjes duke thënë se “konflikti i nisur më parë u përshkallëzua deri në përdorimin e armëve dhe për pasojë ka mbetur i varrë shtetasi Pjerin Xhuvani”.

Por gazetarët nuk e lanë me kaq.

Fillimisht ishte gazetari i Euronews, Eni Ferhati që i kujtoi Veliut se nuk kishte sqaruar se “kush nga palët e përfshira në konflikt qëlloi i pari?”. Kryepolici iu shmang duke pasuar topin tek prokurori i çështjes: “Kësaj pyetjeje mund t’i japin shumë mirë përgjigje dy prokurorët të cilët janë prezent këtu”.

I pyetur sërish për të njëjtin moment të krimit nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, se si ka nisur përplasja me armë dhe se “Kush qëlloi i pari?” apo se “Kush i plagosi militantët e PD-së, Pavlo Vuksani dhe Emiljano Prenga”, Veliu u tërhoq sërish: “Këto janë pjesë e dosjes hetimore dhe të dy prokurorët që unë kam në krah, nëse kanë detaje për të dhënë në drejtim me hetimin dhe pika të cilat nuk dëmtojnë vazhdimin e hetimit, është e drejtë e prokurorëve.”

Njësoj edhe prokurori i çështjes, Alfred Shehu që doli të flasë për hetimet, nuk iu përgjigj pyetjes që i përsëriti gazetarja Anila Hoxha. Herën e parë dha këtë përgjigje: “Çështja është nën hetim. Sapo ka filluar dhe dinamika e hetimit është shumë e ndërlikuar në rastin konkret”.

Herën e dytë që gazetarja ia përsërit “Si ka nisur ngjarja?”, prokurori u përgjigj duke thënë: “Siç e dëgjuat edhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, janë zbatuar urdhrat e ndalimit të prokurorëve”

Herën e tretë, kur gazetarja e përsërit pyetjen “Kush ka qëlluar i pari?”, prokurori prap zihet ngushtë: “Të lutem, çështja ka ndodhur… ngjarja ka ndodhur dje dhe janë kryer të gjitha veprimet e mundshme hetimore. Deri në orët e vona të natës, deri në mëngjes. Janë sekuestruar shumë prova materiale gjatë kryerjes së veprimeve hetimore. Ka edhe telefona ku mund të ketë shumë të dhëna në lidhje me dinamikën e ngjarjes. Hetimi do sqarojë më vonë dinamikën e ngjarjes”.

Gazetarja e pyet prap, për të herë të katërt se “Kush ka qenë shtëtasi i parë që ka qëlluar?” dhe prokurori prapë përtypet. “Ju informoj se janë nxjerrë dy urdhra ndalimi për veprat penale të vrasjes”.

Gazetarja Anila Hoxha e pyet prapë për të pestën herë dhe prokurori prapë zihet ngushtë: “Është hetimi që do e nxjerrë dhe hetimi është sekret”.

Në fund të konferencës, gazetari Jul Kasapi i A2 prapë e pyet prokurorin, duke i kujtuar se në momentin kur ndodhi vrasja kishte edhe policë prezentë, që kanë dhënë dëshminë e tyre dhe prokurori prapë mbyll gojën me fjalën “Është çështje hetimore” duke u larguar nga konferenca për mediat.

Përgjigjia e kësaj pyetjeje në fakt ka të bëjë me personin tjetër të përfshirë në ngjarje, Klement Xhaferrin, i cili është shpallur në kërkim dhe për të cilin është ngritur tashmë akuza për “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë”. Xhaferri u thirr në konflikt nga Mehmet Greca, personi që militantët e PD mbanin të bllokuar bashkë me makinën pasi kishin dyshime se mjeti ishte i mbushur me para dhe karta identiteti të blera dhe dyshohet se ka nxjerrë pistoletën duke qëlluar.

Por fakti që as Ardi Veliu dhe as prokurori i çështjes nuk guxojnë ta sqarojnë rolin e tij në përplasjen me armë ngre dyshime se versioni ngjarjes, siç e tregon policia dhe siç e heton prokuroria do të manipulohet në përputhje me versionin e Partisë Socialiste dhe të Drejtuesit Politik të kësaj force politike në Elbasan, Taulant Balla. Në mjetin me të cilin Klement Xhaferri erdhi në vendin e ngjarjes kishte postera të Taulant Ballës.

Klement Xhaferri ka qenë i përfshirë në sherrin e Ditës së Verës në Elbasan, kur militantët e PD-së u rrahën dhe u goditën pas thirrjeve “Rama ik”. Po ashtu, ai ka qenë në mjetin me të cilën u godit policia në vitin 2018 në Tregun Ushqimor të qytetit, si pjesë e bandës së Suel Çelës, që është riaktivizuar sërish në mbështetje të PS për zgjedhjet e 25 Prillit.

Në pamundësi për t’ia përmendur emrin dhe për të sqaruar rolin e tij, nuk kuptohet se pse kryepolici Ardi Veliu dhe prokurori Alfred Shehu dolën në konferencë, sepse për qytetarët e Elbasanit ata e rikonfirmuan edhe një herë se zbythja e shtetit përballë bandave vazhdon./LAPSI

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Av. Mehmet Kurti23/04/2021 09:14

Ardi Veliu, bashkepuntori i Klemend Balilit dhe i shume grupeve kriminale, mbrohet nga Edvin Rama. Koha per ndryshim po afrohet dhe cdo gje do vertetohet. Bravo TV Syri.

Shto koment

Denonco