Vrau fqinjin pas sherrit për tubin e ujit, vetëdorëzohet Altin Mera

Vrau fqinjin pas sherrit për tubin e ujit, vetëdorëzohet Altin Mera

12:14, 14/04/2021
A+ Aa A-

Altin Mera, i shpallur në kërkim dje si një nga autorët e vrasje së 50-vjeçarit Xhetan Konesha në Dibër, është vetëdorëzuar sot në polici. Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se ai, prej ditës së djeshme, qëndronte i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para policëve që po bënin krehjen e zonës, me qëllim arrestimin e tij.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë në fshatin Luzni të Dibrës, ku viktima u konfliktua me Altin Meren dhe vëllain e tij, Muhamet Mera, 30 vjeç, që u vu në pranga dje. Sipas banorëve të zonës konflikti është i vjetër dhe e ka zanafillën për një tubë uji, ndërsa policia arriti të arrestonte Muhamet Merën, por vëllai i tij,  Altin Mera u arratis, duke u larguar në pyll, derisa u vetëdorëzua sot.

NJOFTIMI ZYRTAR

Dibër

Vihet në pranga personi  i shpallur në kërkim policor ditën e djeshme, si bashkautor në vrasjen me armë të shtetasit XH. K.

Si rezultat i kontrollit të pandërprerë dhe krehjes së zonës nga strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, për kapjen e bashkautorit të vrasjes së 50-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, në orët e para të mëngjesit të sotëm, shtetasi A. M., në pamundësi për të qëndruar i fshehur dhe për t’u larguar, iu është vetëdorëzuar forcave të Policisë. 

Ky shtetas qëndronte prej ditës së djeshme i fshehur në një banesë të braktisur në fshatin Lishan dhe në pamundësi për t’u larguar, ka dalë nga banesa dhe është vetëdorëzuar para shërbimeve policore që po kryenin kontroll në atë zonë.   

Nga hetimet paraprake të kryera nga strukturat hetimore të DVP Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, dyshohet se dy vëllezërit, shtetasit M. M., i arrestuar nga Policia menjëherë pas ngjarjes dhe shtetasi A. M., në vendin e quajtur “Kryqëzimi i lagjes Koneshe”, Njësia Administrative Luzni, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë qëlluar me armë zjarri automatik shtetasin Xh. K., 50 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën në spital. 

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco